Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marr vendim që të rihapet kufiri me Shqipërinë dhe heqjen e masave të lëvizjes për qytetarët e Kosovës.
Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, por se për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se situata epidemiologjike është e qëndrueshme, por me rritje të lehtë të rasteve gjatë javëve të fundit në disa komuna si rezultat i moszbatimit të rekomandimeve nga një numër i qytetarëve.
“Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënime të sakta të vendqëndrimit në Kosovë, adresa dhe numri i telefonit për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF-të e komunave përkatëse. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike, si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë me COVID-19. Bazuar në këto rekomandime që nga dita e hënë 8 qershor 2020 propozoj që qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për COVID-19 për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe në QKMF-të nëpër komuna”, tha ai.
Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, MSH do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave nga të gjitha pikat kufitare.
Po ashtu, ai bëri të ditur se qysh nga nesër do të hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.
I pari i Shëndetësisë kërkoi që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se ende nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, sipas tij mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.
Ai tha se kërkojnë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë masat me qëllim që të shkohet para me lehtësime të tjera.
Ministri Zemaj tha se Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Kryeministri Avdullah Hoti, ka kërkuar që deri më 12 qershor MSH të miratojë manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe të rekrutohen 200 specialistë shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit.
“Deri më 12 qershor 2020 MSH të miratojë manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private dhe ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe në çdo veprimtari tjetër publike. Pastaj pika katër të jetë, në përputhje me ligjet përkatëse MSH autorizohet që të nis procedurat për rekrutimin e 200 specialistëve shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit sipas pikës paraprake gjatë gjithë periudhës sa jemi në këtë epidemi”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Punës Skender Reçiça, ka kritikuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë kësaj periudhe është për çdo kritikë.
Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë, është diçka që nuk guxon të përsëritet edhe një herë të vetme, e as edhe një rrethanë të vetme. Tirana për Prishtinën është si Prizreni për Gjilanin, sikur që Prishtina për Tiranën duhet të jetë si Vlora dhe Shkodra. E kuptoj faktin që pandemia kërkon disiplinë, kërkon respektim të masave mbrojtëse dhe e kuptoj faktin që mund të karantinohet Ferizaj, Prishtina, Vlora, Korça, por assesi të mbyllen dhe të izolohen mes vete mes Prishtinës dhe Tiranës. Kujdes po, disiplinë po, por jo izolim dhe mos komunikim pa nevojë. Më e pakta që mund të bëjmë është që sot të miratojmë këtë vendim”, tha ai.
Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ketë lehtësira për sektorin e gastronomisë.
“Me e pas një raport se si kishim mundur të veprojmë tutje edhe për kërkesat që i kemi nga sektori i gastronomisë për ngjarjet më të mëdha në këtë fushë, për shkak që mendoj që jeta praktike ka filluar të ndodh, unë sot isha në një prej qendrave tregtare dhe aty ishte plotë, jeta veç ka filluar të ec gjithmonë duke e pasur ndjeshmërinë për situatën, për shëndetin publik, por në të njëjtën kohë duke e pasur përgjegjësinë mbi detyrat që i kemi në raport me funksionimin në veçanti të sektorit privat dhe të sektorit të gastronomisë. Është mirë që në mbledhjen e ardhshme me pas një raport dhe nëse ka hapësirë me e marr një vendim për lehtësim të plotë”, ka deklaruar Tahiri.
Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ka kërkuar që të fillojë konsultimet për rifillim të transportit ajror.
“Me lejen e juaj unë kisha filluar konsultimet me Autoritetin Civil Ajror, me ministrinë e Shëndetësisë, gjithashtu kompanitë ajrore të shikojmë mundësitë e rifillimit të transportit ajror sa më shpejt në Kosovë, gjithsesi edhe gjithmonë duke i respektuar masat COVID-19. Kjo do të bëhet gjithashtu duke marrë parasysh edhe standardet e BE-së. Ajo çka kërkoj sot është të fillojmë këto negociata që t’i shohim edhe praktikat e aeroporteve tjera”, tha ai.
Të gjitha kërkesave u është përgjigjur ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
“Situata nuk është që duhet të lirohemi së tepërmi nga gjendja e aktivitetit dhe anashkalimi i mundësisë së përsëritjes së rasteve me COVID-19, ne do të jemi gjithmonë në analizë ditore kjo është duke u bërë edhe orë pas ore nga profesionistët shëndetësor…Kërkesa jonë për qytetarët, për bizneset, për gastonominë është që t’i respektojmë masat aktuale dhe ne të shkojmë drejtë lehtësirave të reja. Besoj që do t’ia dalim nëse kemi respektim të dinjitetshëm, pak i kushtueshëm, shumë nervor edhe nga e kaluara, por është e domosdoshme për ruajtjen e jetës të të tjerëve”, tha ai.
Top Channel