Largimi i djeshëm i masave të reciprocitetit nga qeveria Hoti, pritet të rikthejë në tavolinën e bisedimeve pas dy viteve Kosovën dhe Serbinë. Ndonëse po kërkohet intensifikimi i negociatave, dhe është përmendur muaji shtator i këtij viti si afati optimal për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, një gjë e tillë po shihet si vështirë e realizueshme.
Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli thotë për KosovaPress, se çështjet e shumta të pazgjidhura me Serbinë e bënë të vështirë parashikimin për arritjen e marrëveshjes finale.
“Dy vitet e fundit ka pasur një interesim të BE-së, ndërmjetësve të dialogut, por edhe të ShBA-së me një rol më aktiv në këtë proces në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përmbyllin këtë dialog me një marrëveshje finale. Kjo për shkak se dialogu ka filluar qysh moti, në vitin 2011 dhe ende nuk është arritur normalizimi i shumëkërkuar…është e vështirë të parashikohet ndonjë afat për shkak se flitet për një marrëveshje finale, pasi flitet për një marrëveshje finale dhe duhet të përmbyllen shumë çështje. Kosova dhe Serbia kanë mospajtime të mëdha, dihet se Serbia ka pretendime ndaj Kosovës”, thotë ajo.
Ani pse po kërkohet nga partnerët ndërkombëtar përshpejtim i dialogut, njohësi politik, Besnik Vasolli thotë se Kosova nuk duhet të mbetet pengë i afateve kohore.
“Negociatat duhet të vazhdojnë, duhet të bëhen në frymë të mirëbesimit të të gjitha palëve. Por nuk duhet të bëhemi peng i afateve kohore patjetër, nuk ka arsye të themi që deri në shtator të përfundojë se përndryshe çka do të ndodh. Pse është shtatori aq i rëndësishëm, nuk e kemi të qartë asnjëri prej neve”, thotë ai.
Ndërsa, drejtori i Institutit, “Epik”, Demush Shasha thotë për KosovaPress, se Kosova më shumë duhet të fokusohet tek substanca e marrëveshjes, se sa afati i përmbylljes së saj.
“Ka qenë dhe do të jetë të ardhmen problematike diskutimi i çfarëdo afati sa i përket arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Ajo çfarë duhet të diskutojmë është substanca e asaj marrëveshje, qëllimet e asaj marrëveshje. Mënyra e zgjidhjes të aq shumë çështjeve të hapura që i kemi me Serbinë. E afatet do të vijnë në fund të këtij procesi natyrshëm. Vendosja e afateve paraprakisht pa i diskutuar një gamë të gjërave të pazgjidhura me Serbinë është kundër produktive. Duke shikuar nga sot është shumë vështirë të imagjinohet se si mund të arrihet një marrëveshje deri në shtator kur kemi aq shumë çështje të pazgjidhura”, u shpreh Shasha.
Dialgou Kosovë-Serbi ka filluar qysh në vitin 2011. Ndërkaq, në këto dy vitet e fundit ka pasur një rol më aktiv të ShBA-ve në këtë proces, derisa në qarqe të ndryshme ndërkombëtare po kërkohet që marrëveshja ligjërisht obliguese për dy shtetet të arrihet këtë vit.
Top Channel