Fatmir Canaj jeton i vetëm me vëllanë e tij tetraplegjik, Agim Canaj, në një banesë në katin e tretë të një pallati në qytetin e Këlcyrës. Prej 15 vitesh, Fatmir Canaj kryen shërbimin e dializës tre herë në javë dhe për këtë duhet të shkojë në spitalin e Gjirokastrës.
Vëllezërit Canaj iu drejtuan emisionit Fiks Fare për të denoncuar rastin e tyre në pamundësi që të zbresin nga kati i tretë i pallatit, pasi që të dy janë me karrocë dhe pallati i tyre nuk ka ashensor. Fatmiri dhe i vëllai kërkojnë vetëm një dhomë dhe një tualet, por që të jetë në katin e parë me qëllim që të kenë lehtësi për të lëvizur. Duke qenë se jetojnë të dy vëllezërit vetëm, Fatmiri është rrëzuar disa herë, madje ka pësuar edhe fraktura në shpatull si dhe ka çarje në kokë.
“Unë jetoj vetëm me vëllanë. Deri para tre vjetësh kishim nënën. Tani këto tre vjet vetëm. Kemi marrë një punëtore që na ndihmon. Unë kam 15 vjet me dializë. Ja dje u rrëzova prapë. Që nga shpatulla që e kam ciflosur dhe gjunjtë janë vrarë. Unë dua dy-tre veta të më ulin e të më ngrejnë. Unë nuk dua as vila as pallate mbretërore. Dua vetëm një dhomë dhe një banjë në kat të parë. I jam drejtuar emisionit “Fiks Fare” për një ndihmë po ka mundësi. Unë nuk ulem dot, momentalisht tani nuk ulem dot po mos të kem këta të tre (të afërmit që e ndihmojnë). Më dhemb i tërë mishi”, shprehet Fatmir Canaj.
Ndërkohë, në lidhje me rastin në fjalë Fiksi iu drejtua Bashkisë Këlcyrë ndërsa kjo e fundit prej kohësh ishte në dijeni për shqetësimin e vëllezërve Canaj, por ende nuk kishte arritur në një zgjidhje.
“Të dy vëllezërit jetojnë në një pallat në kat të tretë. Si Fatmir Canaj dhe Agim Canaj janë të dy të sëmurë me aftësi të kufizuara. Problemi i tyre është pak i vështirë për t’u zgjidhur nga ana e bashkisë. Ata kërkojnë mundësinë e lëvizjes për të dalë jashtë dhe është e pamundur vërtetë, sidomos për Agimin i cili është tetraplegjik. Problemi është se ne si bashki, kemi disa kohë që e kemi menduar këtë problem. E vetmja mundësi është t’i gjejmë një strehë ose banesë në kat të parë. Por në këtë qytet është pak e vështirë, sepse nuk ka shtëpi banimi të cilat janë për shitje”, shprehet nënkryetari i Bashkisë Këlcyrë, Riza Allamani.
Top Channel