Në bashkinë e Finiqit gati 30 vjet pas ndarjes së tokës banorët ende nuk kanë certifikata pronësie.

11 fshatra janë ende të paazhornuar pasi komisionet mes vitit 2010 dhe 2012 e ndërprenë punën për shkak të pasaktësive në terren me matjen e tokës. Bëhet fjalë për 22 mijë tituj pronësie që ju takojnë banorëve të 11 fshatrave. Nga 52 mijë tituj pronësie që bashkia e Finiqit zotëron vetëm 15% e tokës ka certifikatë pronësie.

” Ka 30 vjet që nga ndarja e tokës, prindërit e mi kanë vdekur, letra s’kam, tani më erdhi radha mua, kaloi mosha do vdes dhe unë, por djemtë e mi nuk kanë letra fare, do vijë ora dhe do vriten me njëri-tjetrin, jo e kam unë tokën jo e ke ti, po ashtu për shtëpinë. Si do zgjidhet ky problem? Paguaj çdo vit të gjitha taksat dhe letra s’kam.”

Kronologjia e kësaj situate duhet parë që prej vitit 1994 kur matjet u bënë me litar dhe nuk kishte topograf. Më pas matjet topografike nuk konsideruan gabimet që ishin bërë prej matjeve të para dhe kjo situatë u mbart deri sot ku askush nuk disponon një certifikatë pronësie dhe për më tepër kemi të bëjmë me një situatë shumë kaotike e cila nuk i jep më kompetenca pushtetit vendor për të dhënë zgjidhje.

” Problemi është që në fazën e parë. Mua më rastisi që atëherë kam qenë në detyrë përgjegjës sektori dhe isha përgjegjës i komisionit në ’91. U bë ndarja e parë e tokës. Erdhi grupi i azhornimit nga Tirana, i anuloi komplet se këtu pas nesh ishin zgjedhur grupe komplet të paaftë. Merr njerëz nga klubi, pi një gotë raki dhe bëhej ndarja e tokës dhe këto i paguan populli i Finiqit. Kanë kaluar kaq vite dhe nuk ka as çertifikatë pronësie as për tokën as për shtëpinë. Ky është skandal. Ndryshe figuron në AMTP ndryshe në azhornimin e grupit të dytë. 98% e matjeve me azhornimin nuk përputhet.”

Që prej vitit 1994 dhe deri në vitin 2010 kur filloi azhornimi i tokës në bashkinë e Finiqit janë ngritur të paktën 3 apo 4 komisione të ndarjes së tokës dhe asnjëri nuk është dakordësuar me paraardhësin. Kështu që konfliktet e pronësisë kanë qenë të pafundme.

“Ka pasur diferenca shumë të mëdha. Pas çdo pronari del një sipërfaqe toke shtet. Matja është bërë e gabuar dhe dalin sipërfaqe të vogla, 500m, 300m, 200m të cilën nuk ke mundësi që ta japësh edhe me qira. Në bashkëpronësi janë kryesisht ullishte dhe pemëtore janë ndarë nga komisionet por nuk është bërë ndarja e bashkëpronësisë kështu që e kanë të gjithë dhe askush. ”

Ka dhe probleme të tjera që pengojnë ndarjen e tokës që nga çmimi i një certifikate pronësie. Seicila familja ka 7 apo 8 parcela toke.

Specialistët thonë se zgjidhja do të ishte një kompetencë më e gjerë dhënë pushtetit vendor për tu rikonsideruar gabimet e kryera deri tani.

“Kjo për mua ka një zgjidhje dhe zgjidhja vjen nëse do të ketë kompetencë njësia e qeverisjes vendore, në rastin konkret bashkia të merret me këtë problem, të bëjë evidentimin dhe korrigjimet sepse sot ka instrumenta dhe nuk jemi në kushtet e ’91 por këto në vend që të liberalizohen ndodh e kundërta. Tani thuhet që fshatarët të aplikojnë direkt në hipotekë dhe në ASHK pa kaluar nga bashkia kur dokumentacionin e përgatisim ne. Si mund ti bëjnë banorët e moshës 70 vjeçare aplikimet online?”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA