Përdhunimi i 15 vjeçares në shkollë/ Të rinjtë demokratë protestë tek Ministria e Arsimit. Kërkohet dorëheqja e Besa Shahinit.

03/06/2020 13:39

Forumi Rinor i Partisë Demokratike kërkoi dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Besa Shahini,  për ngjarjen monstruoze të përdhunimit dhe keqtrajtimit më pas të një vajze nga roja i shkollës. 

Disa të rinj protestuan para Ministrisë së Arsimit me foton e Ministres Shahini dhe me sloganin “Heshtja është abuzim për së dyti”.

Sipas FRPD, ajo mbahet përgjegjëse për braktisjen sistemit arsimor dhe rritjen e pasigurisë për fëmijët në shkolla. FRPD vlerëson se, për shkak të politizimit të skajshëm të drejtorëve dhe shumë mësuesve dhe mbrojtjes së tyre nga partia në pushtet, shkollat janë shndërruar në strehë e bullizmit, abuzimeve, paligjshmërisë dhe papërgjeshmërisë.

“Zinxhiri përgjegjës, që nga drejtori dhe deri tek policia ka dështuar, sepse ata japin llogari përpara partisë në pushtet, e cila synon fshehjen e fenomeneve të rënda në sistemin arsimor. Drejtuesit arsimorë janë të fokusuar tek tenderat dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi para qytetarëve për ngjarjet skandaloze që po ndodhin në shkollat tona. Sot, prindërit dhe nxënësit janë të braktisur nga kjo qeveri, e cila, sa herë përballet me llogaridhënien hesht dhe shmanget.  Me këtë protestë për dorëheqjen e Ministres së Arsimit të rinjtë demokratë tregojnë solidaritetin me nxënësit dhe studentët për të  denoncuar së bashku gjendjen katastrofike të sistemit arsimor.” janë shprehur protestuesit e FRPD.

Top Channel