
Vetëm një ditë para seancës së jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti, kryesia e LDK-së ka dhënë dritën jeshile për emrat e shtatë anëtarëve që do të jenë pjesë e ekzekutivit.
Pas një diskutimi prej tri orësh, kryesia i dha përkrahjen Driton Selmanaj për zëvendëskryeministër. Në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme do të rikthehet Agim Veliu, ndërsa pozitat e njëjta do t’i mbajnë: Anton Quni ministër i Mbrojtjes, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Besian Mustafa ministër i Bujqësisë.
Hykmete Bajrami nga ministre e Arsimit do të kalojë në atë të Financave, e vendin e Lumir Abdixhikut në Ministrinë e Infrastrukturës do ta zë Arban Abrashi. Ministria e Shëndetësisë që në Qeverinë Kurti i takonte LVV-së, tash do t’i takojë LDK-së me Armend Zemaj. Avdullah Hoti tha se kjo qeveri prioritet do ta ketë rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë.
Përveç pandemisë e dialogut, koalicioni në shkurt të vitit të ardhshëm sfidë do ta ketë zgjedhjen e Presidentit. Seanca për votimin e Qeverisë Hoti është thirrur për të mërkurën në ora 11. Në të pritët të marrë pjesë edhe LVV, të cilët kanë iniciuar peticion për zgjedhje.
Top Channel