Shifrat e fundit, siç thonë mediat vendase, praktikisht e kthejnë Maqedoninë e Veriut në situatën që shënonte me koronavirusin në fillim të prillit.

Nga 974 teste të kryera  gjatë 24 orëve të fundit, 101 persona kanë rezultuar pozitiv. Më shumë se gjysma janë regjistruar në Shkup, e 12 në Kumanovë dhe rrethina. Po kështu janë konfirmuar 4 vdekje; viktimave ishin të moshave nga 58 deri në 84 vjeç.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive të enjten do të diskutojë gjendjen pas shtimit të rasteve me Covid-19 dhe nuk e përjashton mundësinë e paraqitjes së propozimit në qeveri për aplikimin e masave kufizuese, sidomos gjate fundjavës kur besimtarët ortodoksë shënojnë një festë fetare. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kategorizuar qytetet më të rrezikuara nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut: Shkupi, Tetova dhe komunen e Shtipit.

Megjithatë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pretendon se virusi për momentin nuk e ka fuqinë e njëjtë, si në fillim të pandemisë, dhe se të gjithë të infektuarit janë në gjendje të qëndrueshme. Ai gjithashtu thekson se numri i lartë i rasteve është edhe rezultat i numrit të lartë të testeve që po kryhen në Maqedoninë e Veriut. Që nga fillimi i pandemisë, në vendin fqinj kanë humbur jetën prej saj 145 persona, ndërsa të infektuarit janë gati 2.500.

Top Channel