Futbolli në Itali ende nuk ka rinisur pas pandemisë por që tani klubet e mëdha kanë nisur luftën në distancë me njëra-tjetrën.
Motivi i kësaj lufte janë datat e gjysmëfinaleve të kthimit të Kupës së Italisë. Nëse qeveria do të japë ok-in për zhvillimin e aktiviteteve sportive para datës 14 qershor, Juventus-Milan është parashikuar të luhet në 12 qershor ndërsa sfida e kthimit mes Napolit dhe Interit më 13 qershor me finalen që do të zhvillohet në datën 17 të po këtij muaji. Interi kërkon që të zbresë në fushë i pari, pra që gjysmfinalja ndaj Napolit ku zikaltrve u duhet të përmbysin disfatën 0-1 të ndeshjes së parë të luhet në datën 12 qershor në mënyrë që skuadra e Contes të ketë më shumë kohë në dispozicion pasi në datën 20 qershor do të luajë ndeshjen e prapambetur të javës së 25-të ndaj Sampdorias.
Por kërkesa e Interit ka hasur në kundërshtimin e Juventusit dhe Milanit që gjithashtu kanë një kalendar të ngjeshur dhe duan të zhvillojnë gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë mes tyre po në datën 12 qershor dhe jo një ditë më pas më 13 siç kërkon klubi zikaltër. Për të vendosur drejtësi në gjithë këtë situatë do të aplikohet rregullorja. Në këtë mënyrë rruga më e mirë për Interin do të jetë zhvillimi i 4 ndeshjeve nëse siguron edhe finalen e Kupës së Italisë nga data 13 deri në 24 qershor.
Asnjë dritë jeshile nga Juventusi dhe Milani për afrimin me një ditë të gjysmëfinales Napoli-Inter por edhe një jo të thatë që ka marrë Marotta nga liga e futbollit për shtyrjen për në datë 2 gusht të finales së Kupës e bëjnë më komplekse situatën. Një mur i ngritur ky nga dy klubet e mëdha rivale që kanë sjellë zemërimin e Interit por tani mbetet për t’u parë se në çfarë faze ka shkuar ky zemërim. Ndoshta ideja për të zbritur në fushë skuadrën Primavera ndaj Napolit nuk është vetëm një provokim nga zikaltrit por mund të bëhet realitet.
Top Channel