Cikloni kërcënon Indinë! Evakuohen edhe pacientët me Covid-19

03/06/2020 16:47

Një ciklon i nisur nga Deti Arabik ka goditur brigjet perëndimore të Indisë, pasi u intensifikua, ndërsa po i afrohej qytetit të shumëpopulluar të Mumbait.

Cikloni Nisarga, preku tokën rreth 100 km në jug të Mumbait. Dhjetëra e mijëra njerëz gjatë brigjeve janë zhvendosur më në brendësi të vendit. Ky është cikloni i parë i madh në dekada që kërcënon kryeqytetin financiar. Me 20 milionë banorë, Mumbai është qyteti më i populluar në Indi dhe është prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Cikloni solli erëra që e kalonin shpejtësinë e 100 km në orë. Ai preku tokë pranë Alibaug-ut, një destinacioni të preferuar për fundjava nga shumë indianë e që shpesh quhet edhe The Hamptons e Mumbait.

Por me më shumë se 40 mijë raste të konfirmuara të koronavirusit dhe rreth 1400 viktima, Mumbai është edhe qyteti më i prekur nga pandemia në Indi. Dhjetëra e mijëra njerëz janë evakuuar para ciklonit e mes tyre edhe 150 pacientë nga një spital fushor i sapondërtuar për koronavirusin.

Ndryshe nga çfarë ndodh në brigjet lindore të Indisë, ciklonët janë të pazakontë në brigjet perëndimore të vendit. Ky i fundit vjen vetëm dy javë pasi cikloni Amphan preku vendin duke shkatërruar pjesë të mëdha të Kalkutës në bregun lindor.  Më shumë se 100 persona humbën jetën në shtetet indiane të Bengalit Perëndimor dhe Orisës e po ashtu edhe në Bangladeshin fqinj.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel