Afrikë e Jugut: Masat e izolimit, “jo kushtetuese” dhe “të pavlefshme”

03/06/2020 16:29

Një gjykatë afrikano-jugore ka vendosur se disa rregulla të izolimit, të vendosura nga qeveria, ishin jo kushtetuese dhe të pavlefshme.

Në fakt, çështja përfundoi në gjykatë pas një ankese të një grupi komunitar, që sfidoi masat e reagimit të lajmëruara nga presidenti Cyril Ramaphosa. Gjykata e lartë në Pretoria, vendosi që rregullat nuk ishin të lidhura në mënyrë racionale me objektivin e ngadalësimit të shkallës së infektimeve apo kufizimin e përhapjes atje.  Sidoqoftë, gjykata e la pezull vendimin për 14 ditë në mënyrë që qeveria të mund të reflektonte për rregulloret. Kjo e fundit tha se do të rishikojë, amendojë dhe ripublikojë rregulloret, por masat do të mbeten në fuqi për momentin.

Afrika e jugut, ka disa prej masave më të rrepta të izolimit për koronavirusin në botë. Ajo zbuti izolimin një mujor më 1 maj, pas uljes së nivelit të emergjencës. Shitja e alkoolit rinisi këtë javë, pas dy muajsh ndalim. Të gjitha mbledhjet, me përjashtim të funeraleve dhe atyre për punë, vazhdojnë të jenë të ndaluara. Udhëtimi mes provincave po ashtu është i ndaluar dhe fluturimet ndërkombëtare janë ndalur me përjashtim të atyre për riatdhesimin e qytetarëve. Vendi ka numrin më të lartë të rasteve të koronavirusit në kontinent, me rreth 30 mijë të konfirmuar deri më tani dhe 700 viktima.

Top Channel