Presidenti i Kosovës ka folur rreth incidentit sot gjatë konferencës për media. Hashim Thaçi e ka quajtur incidentin si një provokim nga njerëzit e Albin Kurtit.

“Nuk e kam parë videon e incidentit, por duhet të them se duhet të marrin fund provokimet e Kurtit dhe njerëzve të tij ndaj bartësve të institucioneve dhe se do të ketë zero tolerancë ndaj atyre që bëjnë kërcënime fizike”, ka thënë ai në T7.

Sipas tij, mbrojtja e presidentit ka vepruar në mënyrë profesionale gjatë përballjes me një aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje, që tentoi të hyjë në oborrin e Kuvendit, derisa kreu i vendit po mbante një konferencë për media.

“Nëse ka pretenduar të futet në oborr është sjellje në përputhshmëri me sjelljen që kanë njerëzit e mbrojtjes së afërt. Askush s’ka të drejtë të sulmojë presidentin. Nuk do të tolerohet më tej të provokohet”, ka thënë Thaçi.

“Ka qenë më mirë të vinte vetë Kurti, se sa të manipulojë me njerëzit të tjerë. Ka përfunduar koha kur ka qenë i amnistuar ndaj rrugaçërisë që ka bërë. Do t’ia tregoj vendin politikisht”, është shprehur Thaçi.

Top Channel