Presidenti Vladimir Putin ka dhënë mbështetjen e politikës bërthamore të vendit që i lejon Rusisë të përdorë armë atomike në kundërpërgjigje të një sulmi jo-atomik ndaj infrastrukturës kritike qeveritare apo ushtarake.
Duke përfshirë edhe sulmet jo-bërthamore si një aktivizues i mundshëm i kundërpërgjigjes atomike nga Rusia, dokumenti duket se është një paralajmërim ndaj SHBA.
Zgjerimi i tekstit të dokumentit reflekton shqetësimin e Rusisë për krijimin e armëve që mund t’i japin Uashingtonit aftësi shtesë për goditje të aseteve të rëndësishme ruse, pa përdorur armë bërthamore.
Në përshtatje me linjën e doktrinës ruse, dokumenti konfirmon se vendi do të përdorë armë bërthamore në kundërpërgjigje të sulmeve bërthamore apo dhe atyre konvencionale që “kërcënojnë ekzistencën e shtetit”.
Dokumenti detajon më tej se Rusia mund të përdorë armët bërthamore nëse merr “informacione të besueshme” për lëshimin e raketave drejt territorit të saj ose të aleatëve.
Rusia ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për akumulimin e armatimeve konvencionale rreth kufijve të saj nga SHBA ose NATO, si dhe për sistemet raketore që Moska identifikon si kërcënime.
Kremlini është ankuar gjithashtu për dislokimet e forcave në rajonin e Balltikut dhe manovrat e NATO-s pranë kufijve rusë.
Top Channel