Kontrabandë me mallra dhe falsifikim dokumentash, një pranga (Policia jep detajet)

02/06/2020 14:45

Një tjetër operacion policor është finalizuar me sukses dhe janë vënë nën pranga 1 shtetas ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provës materiale sekuestrohen nargjile, ambalazh e produkte me logo të paautorizuara dhe sende të tjera.

Njoftimi i plotë i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Nargjile”.

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Sekuestrohen nargjile, ambalazh e produkte me logo të paautorizuara dhe sende të tjera.

Vihet në pranga 1 shtetas, 1 shpallet në kërkim dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë.

Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe si rezultat i një pune dhe ndjekjeje intensive, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “Nargjile”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. Ç., 21 vjeç, banues në Tiranë, u shpall në kërkim shtetasi S. J. dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi shtetasi L. R.

Arrestimi i shtetasit E. Ç. u bë pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: një sasi 21 kg qese ambalazh, e dyshuar e falsifikuar, logo, markë e patentë nga subjekte të paautorizuara (të paregjistruara nga markat dhe patentat), 370 kova plastike me produkte akcize nargjile, e gatshme për t’u hedhur në treg, 33 shishe me kimikate përzierësish dhe aromatizues të ndryshëm, një kovë me 15 kg produkt nargjile i papërzier, 12.000 pipza për nargjile, 64 komplete (aparate) për të konsumuar nargjile, aparate përzierjeje dhe përpunimi nargjile, disa dokumente dhe një automjet.

Theksojmë se këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare, duke shmangur tërësisht regjimin dhe detyrimin doganor. Ky operator, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, ka konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA