Fiks Fare/ Skandali i licencës, pazari rritet nga 5 milionë në 10 mijë euro brenda zyrave të shtetit

02/06/2020 23:00

Skandali i ryshfetit për licencën e linjës së transportit Sarandë – Korçë, i denoncuar mbrëmjen e së hënës në Fiks Fare, shtrihet edhe në zyrat e shtetit. Artan Haska, i cili i thotë denoncuesit se njeh drejtorë dhe punonjës të Ministrisë dhe Drejtorisë së Transporteve, futet lirisht në zyrat e shtetit. Madje, ka akses edhe në dosjen e qytetarit në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Në bisedat e radhës, Artan Haska i thotë qytetarit Soviet Laze se, nëse e do licencën brenda ditës, duhet të paguajë aktualisht 10 mijë euro, pasi “kaq ka qenë pazari në fillim”.

Mbrëmjen e së martës, Fiks fare dokumentoi biseda të tjera mes Haskës dhe denoncuesit. Në njërën prej tyre, të zhvilluar në fillim të vitit 2020, Haska i thotë Lazes se duhet të firmosin një deklaratë në ministri. “Do firmosni ju dhe firma në Korçë që ti ke këtë orar në nisje, ti ke këtë orar në kthim. Do të dini një gjë, me licencat e reja që jepen tani, do dali me dy vjet certifikim. Nuk ka më ta ripërsërisësh një herë në vit. Do të bësh kujdes, ndalimet në stacionet e rretheve evitoji, sepse nuk e përcakton licenca. As stacion në Gjirokastër, as në Përmet, as në Këlcyrë, as në Përmet. Paralajmërimi i parë është 500 mijë lekë gjobë, i dyti është 5 milionë dhe i treti heqje licence. Linja do të vazhdojë siç ka qenë në kohën e mëparshme, një vajtje, një ardhje” i thotë ai. Më pas, i tregon se nëse nuk e merr brenda datës 25 shkurt 2020 “do vish të marrësh lekët”.

Sekseri i tregon se që kur janë ndryshuar ministrat, gjërat janë shtrënguar. “Belinda i ka mbledhur çik gjërat. Sa erdhi kjo, rrinë çik të tërhequr këta se kanë frikë se u thotë ajo jep licenca me drejtorin dhe merr lekë. Atëherë e merr Sekretari i Përgjithshëm, e firmos. Ajo ja jep sekretares te dhoma e auditimit që quhet zyra e hedhjes së informacionit online të të gjithë licencave të Republikës” i thotë ai. Më pas, ata lënë sërish takim pas disa javësh.

Qytetari priti datën 25 që i tha Artan Haska, por nuk e mori licencën. Ai dyshonte se ky punonjës po e mashtronte dhe niset sërish për në Tiranë, bashkë me bashkëshorten. Artanin e takojnë pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor në Tiranë. Bashkë me Artanin, ata futen brenda zyrave, ku Artani ishte shumë familjar me punonjësit. Madje, ai i la edhe mesazh në dosjen e licencës së qytetarit Soviet Laze, pikërisht drejtorit që merret me këtë licencë. “Hajde me mua dhe mos fol shumë aty brenda. Nuk ndodh asnjë gjë. Do rrish aty, do futem brenda” i thotë ai, dhe sëbashku me denoncuesin futen në ambientet e DPSHTRR-së, pikërisht në zyrat e Task-Forcës, që merren pikërisht me këtë çështje. Haska i thotë punonjësit të DPSHTRR që i duhet dosja, ndërsa ai e pyet se “atë dosjen që më le ti?”.

Sekseri është mjaft i njohur në këto ambiente, pasi i drejtohet punonjësit se “(dosjen)… se do ta lë te Olsi, vetëm ta shikoj se mos kisha harruar ndonjë gjë”. Më pas i thotë se denoncuesi është burri hallës, nga Saranda. Më pas, punonjësi e gjen dosjen dhe ia jep sekserit. “Kjo është. Më duheshin të parat, ato të parat, se u rikthye për rishqyrtim kjo. Ja dhe licenca, i ka këtu të gjitha. Në rregull. Kështu do t’ia lësh drejtorit. Besoj sot do vijë drejtori?” e pyet sekseri punonjësin, ndërsa ky i fundit i thotë se “sot nuk vjen. Nesër vjen. Të enjte për të enjte nuk është”. Punonjësi i thotë që ti lërë një shënim drejtorit dhe merr dosjen e qytetarit dhe i vendos një pusullë. Në fund, sekseri i thotë punonjësit se “vetëm ato më kërkoi drejtori që u rikthye për rishqyrtim ajo”.

Më pas, qytetari dhe sekseri dalin nga ambientet e DPSHTRR-së. Haska i thotë denoncuesit dhe bashkëshortes së tij se “dosja u rikthye për rishqyrtim se faturat i kishin vënë diku tjetër dhe është kthyer te drejtori. Tani, e dëgjova, drejtori nuk vjen. do vij nesër. Pas rikthimit që ka bërë ministrja do ta shqyrtojë drejtori dhe do thotë jemi në ok. Licenca ishte atje brenda dhe menjëherë të kalon ty në dorë, po do nja 10 ditë”. Më pas, Artan Haska i thotë se muhabetet janë bërë për “10 mijë euro”, ndërsa gruaja e denoncuesit e pyet se kush i ka thënë këtë shumë. “Ç’rëndësi ka. Drejtori punën e tij e ka bërë dhe licencën ta bëri. Faturat e bankës që nxora unë dhe i çova në arshivë, ministrja i ktheu se thotë ku janë faturat e bankës dhe nuk i gjeti dhe ia riktheu këtij për rishqyrtim. Nga andej vijnë këtu. Tani e shqyrton ky dhe bën një shënim OK dhe ja dërgon lart. Këto venë me postë, nuk venë me dorë. Venë atje, vijnë këtu, i firmos ajo, i certifikon dhe vjen këtu dhe e merr. Kaq, për 10 ditë gjë është o burrë. 10 ditë gjë dhe e merr dhe ik dhe shiko punën. Dhe të thashë do ta lëmë të punosh, të jetosh, të hash bukë” i thotë sekseri, pasi ka të gjitha informacionin nga punonjës brenda Drejtorisë së Transportit Rrugor. Më tej i thotë se “këto meqë ndodhën kështu, janë prishur të tëra linjat, lanë 1 vit punë dhe ndërhyrja jonë u mor në shqyrtim. Ti tani nuk thua shyqyr që e fitova, qan hallin pse u vonua. U vonua, e ke për 10 vjet licencën, e ke për tërë kohën me certifikatë 2 vjeçare. Në të kundërt kur të vish këtu, nëse nuk të erdhi për 10 ditë, eja këtu, nga mua çmë ke dhënë, i kë drëng, drëng, drëng në dorë”.

***

 Takimi i dytë

Denoncuesi – O Tani, si je…

Artan Haska – Do firmosni një deklaratë të dyja palët në ministri, e cila do merret për të kontrolluar objektin nga Taska Forca dhe do thonë, ti ke këtë orar në nisje, ti ke këtë orar në kthim. Ti ke këtë lloj nisje, ti ke këtë lloj nisjesh. Do të dini një gjë, me licencat e reja që jepen tani, do dali me dy vjet certifikim. Nuk ka më ta ripërsërisësh një herë në vit. Do të bësh kujdes, ndalimet në stacionet e rretheve evitoji, sepse nuk e përcakton licenca. As stacion në Gjirokastër, as në Përmet, as në Këlcyrë, as në Përmet. paralajmërimi i parë është 500 mijë lekë gjobë, i dyta është 5 milionë dhe e treta heqje licence. Linja do të vazhdojë siç ka qenë në kohën e mëparshme, një vajtje, një ardhje

Denoncuesi – Vetëm më ndihmo…

Artan Haska – Dëgjo, dëgjo. Në 25, nëse nuk e nxjerr unë, do vish të marrësh lekët të thashë. Dhe kur të dalë licenca do marrësh prapë lekë, të thashë kështu? Për sa të thashë? Më tha ‘Tani kam besim, s’më humbasin lekët’.

Denoncuesi – Në mendimin tim ke pasur pengesa ti.

Artan Haska – Që kur ka ardhur Belinda, Belinda i ka mbledhur çik gjërat. Dhe erdhi kjo rrinë çik të tërhequr këta se kanë frikë se u thotë ajo jep licenca me drejtorin dhe merr lekë. Atëherë e merr Sekretari i Përgjithshëm, e firmos. Ajo ja jep sekretares te dhoma e auditimit që quhet zyra e hedhjes së informacionit online të të gjithë licencave të Republikës.

Denoncuesi – Tani, për sa do të vazhdojë kjo histori?

Artan Haska – 25-ta mo erdhi.

***

 Takimi i tretë

 Qytetari priti datën 25 që i tha Artan Haska, por nuk e mori licencën. Ai dyshonte se ky punonjës po e mashtronte dhe niset sërish për në Tiranë, bashkë me bashkëshorten. Artanin e takojnë pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor në Tiranë, te ish-Nesharaku. Bashkë me Artanin, ata futen brenda zyrave, ku Artani ishte shumë familjar me punonjësit. Madje, ai i la edhe mesazh (në dosjen e licencës së qytetarit Soviet Laze) pikërisht drejtorit që merret me këtë licencë.

Artan Haska – Hajde me mua dhe mos fol shumë aty brenda… Nuk ndodh asnjë gjë. Në rregull? Do rrish aty, do futem brenda fillimsht dhe do takoj… Hajdeee. Më çmende o derëzi…

Artani dhe denoncuesi futen në DPSHTRR

Artan Haska – Do shkoj te… Si jeni…

Punonjësi i DPSHTRR – Jemi të Task Forcës!

Artan Haska – Të Task Forcës. Dosjen e Sarandës?

Punonjësi i DPSHTRR – Atë dosjen që më le ti?

Artan Haska – Eee. Jo vetëm se është për … se do ta lë te Olsi, vetëm ta shikoj se mos kisha harruar ndonjë gjë. Është burri hallës sime ky (për denoncuesin), mos u mërzit. Ky është nga Saranda. Ëë kjo më duheshe, kjo…

Punonjësi i DPSHTRR – Kjo është?

Artan Haska – Kjo është. Më duheshin të parat, ato të parat, se u rikthye për rishqyrtim kjo. Ja dhe licenca, i ka këtu të gjitha. Në rregull. Kështu do tia lësh drejtorit. Besoj sot do vijë drejtori?

Punonjësi i DPSHTRR – Sot nuk vjen.

Artan Haska – Nuk vjen sot ëëë?

Punonjësi i DPSHTRR – Nesër vjen. Të enjte për të enjte nuk është.

Artan Haska – T’ja lë sipër?

Punonjësi i DPSHTRR – Lëri një shënim.

Artan Haska – Do ti lë një shënim aty direkt, ku the ti.

Sipër dosjes, Artan Hasja i lë një shënim drejtorit me një pusullë

Artan Haska – Dakord vëlla.

Punonjësi i DPSHTRR – Mirupafshim.

Artan Haska – Ikëm, mirupafshim. Vetëm ato më kërkoi ai (drejtori) që u rikthye për rishqyrtim ajo.

***

Gruaja e denoncuesit – Gjallë vdekur, unë s’iki në Sarandë sot.

Artan Haska – Tani ka ligje, licenca e këtij ja kanë hequr komplet si Saranda… Janë rregulla ato s’ke çi bën.

Gruaja e denoncuesit – Ti kishe bërë rregullat…

Artan Haska – Nuk i bëj unë, se s’jam aty, s’jam aty.

Gruaja e denoncuesit – Unë i kam dokumentet të rregullta…

Artan Haska – Po dakord, po…

Denoncuesi – Tani…

Artan Haska – Dosjen e pe, në rregull? Tani, dosja u rikthye për rishqyrtim se faturat i kishin vënë diku tjetër dhe është kthyer te drejtori. Tani, e dëgjova, drejtori nuk vjen. do vij nesër. Pas rikthimit që ka bërë ministrja do ta shqyrtojë drejtori dhe do thotë jemi në ok në bazë të… Licenca ishte atje brenda dhe menjëherë të kalon ty në dorë, po do nja 10 ditë.

Gruaja e denoncuesit – Ti na the në dhjetor në datën 6 janar, iku janari na the në 3 shkurt. garant thoshe. Tani në 3 shkurt…

Artan Haska – Meqë e do kështu kjo rri nesër ta marrësh atë dhe bëjëni ato gjërat që kemi lënë bashkë. E ke!

Gruaja e denoncuesit – Sa i ke dhënë ti?

Artan Haska – E di sa janë bërë muhabetet?

Gruaja e denoncuesit – Sa është bërë?

Artan Haska – 10 mijë euro.

Gruaja e denoncuesit – Sa?

Artan Haska – 10 mijë euro.

Gruaja e denoncuesit – 10 mijë euro!

Artan Haska – Me djalin i kam bërë.

Gruaja e denoncuesit – Është bërë sakllam kjo?

Artan Haska – Po.

Gruaja e denoncuesit – Kush e ka thënë këtë fjalë? Kush e ka thënë këtë 10 mijë euro?

Artan Haska – Ç’rëndësi ka.

Gruaja e denoncuesit – Si ç’rëndësi ka?! Po, si, si… Me dokumente të rregullta ti më kërkon 10 mijë euro tani?

Artan Haska – Hajde këtej…

Gruaja e denoncuesit – Dhe tani kërkon 10 mijë euro ti?

Denoncuesi – Tani për ta kuptuar, drejtori çfarë do?

Artan Haska – Nuk ka faj drejtori, drejtori punën e tij e ka bërë dhe licencën ta bëri. Faturat e bankës që nxora unë dhe i çova në arshivë, ministrja i ktheu se thotë ku janë faturat e bankës dhe nuk i gjeti dhe ia riktheu këtij për rishqyrtim. Nga andej vijnë këtu.

Denoncuesi – Faturat e bankës i kam paguar…

Artan Haska – Po pra, po pra.

Denoncuesi – Të parën?

Artan Haska – Po pra të them, ato! E pe që ia nxora me një letër mbi dosje?

Denoncuesi – Ee.

Artan Haska – A ishte dosja jote ajo?

Denoncuesi – Po.

Artan Haska – Më vjen keq tani. Tani e shqyrton ky dhe bën një shënim OK dhe ja dërgon lart. Këto venë me postë, nuk venë me dorë. Venë atje, vijnë këtu, i firmos ajo, i certifikon dhe vjen këtu dhe e merr. Kaq, për 10 ditë gjë është o burrë. 10 ditë gjë dhe e merr dhe ik dhe shiko punën. Dhe të thashë do ta lëmë të punosh, të jetosh, të hash bukë.

Denoncuesi – Po për oraret…

Artan Haska – I ke more, në 05.30 nga Saranda, mbërritja atje. Nisja kaq nga Korça, mbërritja kaq..

Denoncuesi – E pe ti?

Artan Haska – E ke more në certifikatë, ku e pash unë ato…

Denoncuesi – Pe të vjetrën apo të renë?

Artan Haska – Të renë more, vihet me orar të ri, e ke një ditë po, një ditë jo mor ti. Shkele orarin do ti përgjigjesh Policisë së Shtetit.

Denoncuesi – E ka bërë ai..

Artan Haska – E pe ti ore, ajo ishte licenca, ajo është more. Unë të thashë që është bërë. A të kam thënë që s’të humbet sa të jem gjallë unë, ç’ke?

Gruaja e denoncuesit – Zgjati shumë, zgjati shumë.

Artan Haska – Nuk e zgjata unë.

Gruaja e denoncuesit – Që në tetor të 2018-ës.

Artan Haska – Të të them diçka.

Gruaja e denoncuesit – Erdhi 2020, 2019.

Artan Haska – Të të them diçka, këto meqë ndodhën kështu, janë prishur të tëra linjat, lanë 1 vit punë dhe ndërhyrja jonë u mor në shqyrtim. Ti tani nuk thua shyqyr që e fitova, qan hallin pse u vonua. U vonua, e ke për 10 vjet licencën, e ke për tërë kohën me certifikatë 2 vjeçare.

Gruaja e denoncuesit – Po 10… euro…

Artan Haska – Unë s’të kërkoj më, a të thash që me mua s’të marr më. Për 10 ditë do vijë një shkresë zyrtare, në emër të firmës K… Kur të vij shkresa për 10 ditë, do ta marr unë në dorë dhe do ta jap ty në dorë.

Gruaja e denoncuesit – Unë s’kam besim Soviet, sepse ti më the do marrë kartën e identitetit tënden dhe të djalit dhe hajde lart. Kështu, në datën 5 mars.

Artan Haska – Kjo është e fundit 10 ditë dhe e merr në dorë dhe ta gëzosh.

Denoncuesi – Dakord, do të pres kaq ditë, kjo është e fundit.

Artan Haska – Në të kundërt kur të vish këtu, nëse nuk të erdhi për 10 ditë, eja këtu, nga mua ç’më ke dhënë, i kë drëng, drëng, drëng në dorë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA