​BB: 88% e sektorit privat në Kosovë është goditur gjatë kohës së pandemisë

02/06/2020 11:01

Banka Botërore ka theksuar se goditjen më të madhe gjatë pandemisë në Kosovë, e kanë marrë punëmarrësit e sektorit privat me 88 përqind, të cilët pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese.

Në raportin Tregjet e punës të Ballkanit Perëndimor nën krizën COVID-19, të publikuar nga Banka Botërorë, theksohet se kufizimet mbi lëvizjen dhe mbajtja e distancës sociale kanë cenuar ofertën dhe kërkesën e krahut të punës, transportin dhe udhëtimet në mënyrë të paprecedentë. Raporti kujton se janë mbyllur sektorë të tërë të ekonomive kombëtare: hoteleri-restorantet, tregtia jo e domosdoshme me pakicë, turizmi, transporti dhe një pjesë e mirë e prodhimit dhe pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese. Më të prekura sipas BB-së, janë firmat e vogla dhe të mesme, si edhe bizneset joformale.

BB thekson se në fund të vitit, Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar: 6,7 për qind në normë vjetore. BB thotë se në dy vitet e fundit në Kosovë dhe në Malin e Zi, pagat janë rritur me mbi 2 për qind. Megjithëse Kosova është vendi me rritjen më të madhe të punësimit, ka ende një sasi të madhe fuqie punëtore të pashfrytëzuar ende.Në vitin 2019 norma e papunësisë ra në 13,4 për qind, 2,3 pikë përqindjeje më pak se në 2018, ku në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ra me 3,5 pikë përqindjeje. Por, kur filloi kriza, thuajse një e dyta e popullatës së rajonit në moshë pune qe jo aktive. Në Kosovë, pasiviteti qe rritur madje përpara krizës; 70 për qind të kosovarëve kriza i gjeti pa punë. Megjithëse Kosova është ende shumë mbrapa, sukseset e parë e kanë rritur shkallën e pjesëmarrjes së femrave në mbi 22 për qind të grave në moshë pune.

Derisa përmend të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimore, në raport thuhet se shoqëritë tregtare kanë kaluar me shpejtësi drejt masave mbrojtëse: kanë ndryshuar orarin e punës, kanë bërë shkurtime të përkohshme të orëve të punës, kanë detyruar punonjësit të marrin lejen vjetore, leje pa të drejtë rroge dhe ka pasur edhe shkurtime të vendeve të punës për të përballuar rënien e operacioneve apo madje edhe mbylljen e detyruar.Kurse, sa i përket Kosovës, BB përmend firmat që kanë regjistruar një numër shumë më e lartë punonjësish si rishtazi të papunë, çka tregon se mbështetja për punësim e cila u është dhënë punonjësve të sektorit formal në kuadër të paketës fiskale të qeverisë për situatën e jashtëzakonshme ka kontribuar në formalizmin e punëmarrësve.Banka Botërore thotë se një shoqatë biznesi në Kosovë konstatoi se 84 për qind e firmave të anketuara ose qenë mbyllur plotësisht, ose punonin me kapacitet të reduktuar ose me orare të reduktuar pune, dhe rreth 29 për qind e kishin ulur numrin e punonjësve.Në Kosovë, hendeku gjinor i cili ekzistonte më parë, sipas BB-së, tregon se vetëm 13 për qind e punonjësve të prekur do të jenë femra.

Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që pabarazitë gjinore të mos zgjerohen gjatë dhe pas pandemisë dhe që arritjet 2 sa i takon akumulimit të kapitalit njerëzor, fuqizimit ekonomik dhe dëgjimit të zërit dhe forcës për femrat, të akumuluara me aq mundim gjatë dekadave të fundit, të mos kthehen pas. Tri të katërtat e punonjësve që mund të preken janë të grup-moshës 30-64 vjeç. Nuk është për t’u habitur që goditjen më të madhe e kanë marrë punëmarrësit e sektorit privat (88 për qind). Vetëm në Kosovë, do të ketë më shumë punonjës të përkohshëm të cilët do ta humbin punën në krahasim me ata që janë në marrëdhënie definitive pune, por kjo ndodh për shkak të strukturës së tregut të punës përpara krizës. Një e dyta e punonjësve të prekur do të jenë në shoqëri të vogla (deri në 10 punonjës)Kundërpërgjigjet e menjëhershme të politikave duhet të sigurojnë masa lehtësuese për punonjësit dhe për ndërmarrjet për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe bizneset me rentabilitet ekonomik, sidomos në sektorët e goditur më rëndë, duke hedhur kështu themelet për kushtet për një rimëkëmbje të menjëhershme e të pasur me vende pune me t’u vënë nën kontroll pandemia. Burimet publike duhet të përdoren së pari për të siguruar lehtësim të përkohshëm dhe të synuar për sektorët e prekur më rëndë. Përvoja e ngadalësimeve të mëparshme ekonomike ka treguar se subvencionet e pagave mund të ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës.

Vlerësimet negative të subvencioneve për pagat zakonisht kanë të bëjnë me programe që synojnë personat në pozita të pafavorshme ose nxisin krijimin e vendeve të reja të punës në kohëra ekonomike “normale”. Por, që programet e subvencioneve të arrijnë shpejtësinë e duhur mund të dojë kohë. Komunikimi efektiv, dialogu social dhe angazhimet e qarta nga qeveria kanë rëndësi kritike për kufizimin e humbjes së vendeve të punës gjatë krizës.Megjithëse pasojat e krizës janë ende duke u shpalosur, mund të shihen që tani disa shenja të ndrojtura lehtësimi në disa vende. Është mirë që autoritetet të mos e largojnë vëmendjen nga sfida të tilla afatgjata si mungesat akute të fuqisë punëtore dhe aftësive dhe produktiviteti i ulët. Vlen të shihen mundësitë e transferimit të operacioneve të bizneseve në vende më të afërta, kalimit me kontratë të shërbimeve te të tretë dhe digjitalizimit. Në periudhën afatgjatë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin edhe investimet në aftësi dhe të zgjerojnë mundësitë për zhvillim të aftësive. Për ta ulur rrezikun e automatizimit dhe për ta përmirësuar cilësinë e vendeve të punës, rajoni duhet të rritë investimet në aftësitë themelore dhe në aftësi moderne “të ekonomisë së re”, të tilla si aftësitë në TIK, aftësia për të zgjidhur probleme, kreativiteti, komunikimi dhe aftësia në marrëdhënie me njerëzit, të cilat do t’u japin mundësi punonjësve të tanishëm dhe të ardhshëm të përshtaten me tregjet e punës të cilat janë duke pësuar ndryshime të vrullshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA