SHBA, vazhdojnë për të gjashtën ditë protestat për George Floyd

01/06/2020 12:28

Në disa qytete të Shteteve të Bashkuara vazhduan të dielën protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis të Minesotës.

Qindra njerëz u mblodhën në një park pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington duke brohoritur: “jeta e afrikano-amerikanëve ka vlerë”, “duart lart, mos qëllo” dhe “pa drejtësi nuk ka paqe”. Disa prej tyre hodhën shishe plastike në drejtim të policisë. Pasi protestuesit ndezën dy zjarre pranë parkut, policia reagoi me gaz lotsjellës. Në Nju Jork, së paku dy makina u dogjën, derisa mijëra njerëz marshuan në lagje të ndryshme. Në mjaft qytete u vendos gjatë natës shtetrrethim, ndërkohë që protestat janë përhapur në shumë qytete dhe ka pasur edhe mjaft shkatërrime, incidente të dhunshme dhe arrestime të shumta.

Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë – njëri prej të cilëve i bëri presion me gju në qafë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi vdekjen e Floydit si “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shndërrohen në dhunë. Trazirat filluan në Mineapolis dhe u përhapën në të gjithë SHBA-në që nga vdekja e Floydit më 25 maj. Gjatë fundjavës, demonstrues në Kanada, Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani u mblodhën po ashtu për të shfaqur mbështetje për protestat.

Situata gjithnjë e më e tensionuar vështirëson gjithashtu dhe punën e gazetarëve. Të premten u arrestuan dhe u mbajtën për pak kohë në stacionin e policisë një korrespodent i CNN-it dhe një ekip televiziv. Të shtunën u plagosën nga plumba gome dy punonjës të agjencisë së lajmeve Reuters dhe një korrespondente e një gazete suedeze. Një incident i ngjashëm i ndodhi dhe korrespondentit të DW dhe kameramanit të tij ndaj të cilëve trupat e policisë qëlluan me plumba gome.

Top Channel