Pas reagimeve që ngjalli lajmi i taksës së dezinfektimit në kufi për mjetet e tonazhit të rëndë, pala kosovare është tërhequr duke pezulluar tarifën prej 22 eurosh, që u cilësua si e tepruar nga persona të përballur me të.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Brendshme e Kosovës deklaroi se kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës, është pezulluar, ndërsa sqaronte në deklaratë se kjo procedurë ishte vendosur për shkak të situatës me COVID-19.
Ndaj taksës kishte reaguar dhe kryeministri Rama, i cili e irozonte këtë masë të palës kosovare në një postim në Twitter, ku fliste për “bllokimin e çuditshëm të makinave të Shqipërisë në kufirin e Kosovës për dizinfektim”. Kosova rihapi sot kufijtë tokësorë të mbyllur që në 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Vendimi u mor të djelën nga qeveria në detyrë e vendit dhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar konfirmoi se janë rihapur kufijtë në Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinë dhe Dheu i Bardhë.
Autoritetet vendosën që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës duhet të kishin rezultate negative për testin e koronavirusit – jo më të vjetra se katër ditë – që të mos i nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Zyrtarët kosovarë kanë thënë se gjatë kësaj jave do të shqyrtohet edhe mundësia e hapjes së kufijve ajrorë, ndërsa deri me 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe i masave lidhur me hyrjen e qytetarëve në territorin e Kosovës.
Top Channel