Raportuesja për Kosovën: Duhet një kushtetutë koherente, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, i papranueshëm!

31/05/2020 11:32

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën, eurodeputetja gjermane dhe raportuesja e grupit parlamentar Të Gjelbërit/ EFA për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, deklaroi se palët duhet ta zbatojnë atë që të gjitha.

“Kjo është gjëja më e rëndësishme tani dhe nuk ka alternativë. Teksti i kushtetutës për fat të keq lë shumë hapësirë për interpretim dhe kështu e kuptoj se pse shumë njerëz janë të irrituar, por respektimi i shtetit të së drejtës do të thotë gjithashtu që të pranosh vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo”, u shpreh ajo në një intervistë për DW, duke shtuar: “Në zgjedhjet e ardhshme, shpresojmë që të fitojnë partitë që më në fund do t’i mënjanojnë hapësirat për interpretim në kushtetutë, të cilat shfrytëzohet vazhdimisht nga aktorët politikë në Kosovë. Njerëzit kanë të drejtë për një kushtetutë koherente! “.

Por von Cramon-Taubadel shtoi se “ një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një zgjidhje e pranueshme! Madje ajo nuk është asnjë lloj zgjidhjeje. Një gjë e tillë nuk do të zgjidhte asnjë nga problemet ekzistuese, nuk do të sillte më shumë stabilitet dhe nuk do të ishte në interes të shumicës së qytetarëve dhe qytetareve. Madje do të krijonte një precedent shumë të dëmshëm”, deklaroi raportuesja që e cilëson një ide të tilla absolutisht të papranueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA