Reforma Zgjedhore nuk është arritur që të mbyllet brenda datës së sotme (31 Maj), për shkak se palët politike nuk kanë gjetur rrugën e marrëveshjes.

Pas rreth 4 orësh, palët, edhe pse kishin rënë dakord që Reforma të mbyllej sonte, nuk  kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Ndërkohë Këshilli Politik do të vijojë mbledhjet pas 31 majit ku e radhës pritet të jetë nesër.

Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi ka bërë me dije pikat ku nuk kanë gjetur një konsensus.

“Opozita ofroi konsensus. Por PS nuk ishte e gatshme duke synuar që të mbajë një proces zgjedhor si 30 qershori. Opozita nuk heq dorë për garancitë e votës. Jemi të gatshëm për të vazhduar punën dhe presim që PS të bëjë hapat e parë.” tha Bylykbashi.

“Nuk është çështje pazaresh politike. Bëhet fjalë për themelin e votës. Kjo do të thotë të rrisësh garancitë minimale në proces. Propozimet nuk sigurojnë asnjë privilegj për opozitën vetëm barazi. Kjo është dhe mbetet qëndrim parimor i cili nuk ka mundësi të negociohet. Në plotësojmë një kusht të rëndësishëm të BE” tha Vasili.

“Të gjitha përpjekjet e PS që të mbajë privilegjet dhe të mos heqi dorë nga komisonet dhe Kontrolli i KQZ, tregojnë vlerën e qëndrimeve të opozitës. Boshllëqet që ata kërkojnë të krijojnë janë të mëdha. Falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtar për kompromis. Janë privilegje të qeverisë mbi procesin zgjedhor dhe është e papranueshme. Jemi të gatshëm për zgjidhje me kompromis” ka shtuar Bylykbashi.

“Në rast se pranuam të ecim drejt depolitizimit të komisioneve të administrimit zgjedhor, ishte identifikimi biometrik, nëse nuk kryhet, pa një garanci të tillë nuk mund të ecim. PS kërkon të ketë 100% komisionet.” tha Vasili.

Nga ana tjetër Rudina Hajdari duke komentuar ndërmjetësimin e ambasadës amerikane në këto bisedime, tha se ata ishin aty për t’i dhënë bekimin e shqiptarëve reformës, ndërsa akuzoi dy partitë e mëdha se për interesa të tyre dështuan në arritjen e një kompromisi.

“Dua të falenderoj ambasadën Amerikane që u ngujua sot në këtë ndërtesë dhe nuk ndali deri në momentin e fundit për t ‘i dhënë zgjidhje reformës. Edhe këtë radhë partitë politike dështuan sepse interesat e tyre janë kaq të ngushta dhe nuk duan t’ja dinë për shqiptarët. Pse mendoni ju se vjen ambasada këtu vetëm se duan interesin e shqiptarëve dhe këta sot ia mbyllën derën, i thanë se nuk janë gati për marrëveshje. U tërhoqën në momentin e fundit, sepse koha do t’i tregojë të gjitha. Kjo reformë zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptare, por sot nuk e ka”.

“Këta shohin veten e tyre, kryetarët e partive, bizneset e tyre. Përfaqësuesit e ambasadës u takuan me Bylykbashin, Gjiknurin, me mua e më pas të katërt, ndërsa Petriti shkoi bëri një xhiro aty. Ata ishin të investuar që sot të kishin një zgjidhje. Edhe dje ambasada e SHBA ishte këtu bashkë me delegacionin europian. Hallin e kanë te vetja e vet. Ambasada do që kjo reformë të ketë bekimin e shqiptarëve. Ne do vazhdojmë, ndaj të dashur qytetarë duhet ndryshim i sistemit zgjedhor. Nëse nuk hapim listat këtu do ngelemi. Këta duan vetëm të ndreqin partitë e tyre. Sot pamë që nuk kanë as marrëveshje, e nuk duan mbështetjen e ambasadës. Nuk dorëzohemi nga ndryshimi i sistemit.

Sot dështuan dy partitë politike, politika e vjetër shqiptare, këta dështuan. Shqiptarët janë në krah të ambasadës, në krah të ndryshimit të sistemit. Ne sot demaskuam fytyrën e këtyre njerëzve. Sa herë dështojnë këta, fitojmë ne.” u shpreh Hajdari.

Top Channel