Me violinë në rrugët e Sarandës/ 12-vjeçari i talentuar që studioi 4 orë çdo ditë në muajt e pandemisë

31/05/2020 20:22

Ambientet e qendrës kulturore të fëmijëve në Sarandë kanë qenë të zbrazëta për shumë kohë përgjatë dy muajve të pandemisë.

I vetmi që ka studiuar këtu është Martini 12 vjeç i cili studion në violinë dhe është shumë i njohur në Sarandë sepse qytetarët e kanë ndeshur atë në shëtitore ndërsa teston veten dhe ju jep momente kënaqësie.

” Unë jam Martin Xuxi dhe jam 12 vjeç. Pasioni im është violina dhe e dua shumë atë sepse më ka udhëhequr mua në rrugën e jetës. E kam nisur violinën që 5 vjeç dhe tani jam 12 vjeç.

Unë zakonisht dal shëtitje dhe i bie violinës atje, hap violinën dhe i bie direkt pjesës. Mblidhen të gjithë dhe më shohin mua dhe unë kënaqem që njerëzit kënaqen me muzikën time.”

 Si të gjithë fëmijët Martini pëlqen të luajë, ai luan futboll, luan shah megjithatë koha për lojërat është shumë e kufizuar

 ” Më mbetet dhe pak kohë për lojën mua por nuk më mbetet shumë. Unë kam marrë dhe çmime dhe ndihem shumë i vlerësuar krahasimisht me shokët.

Investimi në muzikë nuk është një investim i lehtë dhe e gjithë familja është e angazhuar për ta transportuar drejt Tiranës ku Martini merr mësime çdo fundjavë. Është një sakrificë që familja beson se ja vlen.

” Unë jam violinist dhe babai im gjithashtu madje kisha dhe djalin e madh në atë kohë që e mësoja dhe kur ne luanim në shtëpi ai mundohej të na imitonte ne dhe merrte çfarë gjente ndonjë lodër dhe e bënte si violinë dhe kur vajti 5 vjeç atëherë filluam të merreshim seriozisht me violinën dhe më kujtohet që çdo ditë pas kopshtit studionim nga gjysmë ore sepse mosha nuk lejonte më tepër dhe brenda disa muajve filloi të luante pjesët e para dhe dukej që i luante me shumë pasion.

Ne jemi katër breza tani bashkë me Martinin që luajmë në violinë, që nga stërgjyshi, gjyshi , babai që ka qenë gjithë jetën mësues muzike, unë dhe shpresojmë që Martini të eci akoma më përpara.

Është sakrificë e madhe se ne jetojmë në Sarandë dhe jemi larg me qendrën dhe detyrohemi çdo fundjavë që shkojmë me makinën tonë e gjithë familja sepse ai do edhe mbështetje morale.”

Martini ka më shumë se 10 çmime dhe diploma ndërsa beson se do të bëhet një violinist i famshëm në të ardhmen.

” Unë kam marrë çmime dhe tani gjatë karantinës sepse kam punuar nga shtëpia, një çmim ka qenë për mua konkursi ” Muzika flet”, një çmim tjetër ai special me 98 pikë, ndërsa këto janë çmime të tjera shumë të rëndësishme. Një çmim e kam fituar në Prishtinë etj.Kur të rritem do të bëhem një violinist shumë i famshëm në botë. Do më njohë e gjithë bota.”

Top Channel