Izolimi ndaloi kërcimin/ Koreografi Arian Plaku në pritje të rikthimit në klasat e vallëzimit

31/05/2020 20:18

Për koreografin Arian Plaku, lëvizja është si të marrësh frymë.

Jetë dhe art njëkohësisht, po izolimi ndërpreu gjithçka, ndonëse shpejt u kthye në kënaqësi. Ndoshta dhe ndonjë kg me tepër. Klasat e vallëzimit vazhdojnë të jenë të mbyllura, po tani që gjithçka po i rikthehet normalitetit edhe përgatitjet për hapjen e tyre kanë nisur. Pasi dërgon Siarin te gjyshja e gjejmë në studio.

 “Dita e një koreografi është shumë e ngarkuar. Ajo ngryset me një parapërgatitje të axhendës për ditën që vijon, po në këtë periudhë të pandemisë ajo ka qenë e ngarkuar me detyrat familjare. Ushtrimet nuk i kemi lënë pas dore, as kurset online të kërcimit përmes platformës Zoom.”

Këtë pranverë izolimi i është gëzuar jo vetëm familjes, po dhe pritjes së ëmbël të së shoqes.

 “Unë jam shumë pak i pranishëm në familje edhe për shkak të aktiviteteve të shumta brenda dhe jashtë vendit. Kjo periudhë 24 orë më ka gjetur pranë familjes dhe djalit dhe tani që do të nisë kopshti nuk e di si do të ambientohet me të. Pandemia gjithashtu na solli një gjë shumë të bukur, që do të na lidhë më shumë. Ne presim të vijë në jetë një vajzë dhe shpresojmë që me ardhjen e saj të mos kemi më pandemi  apo fatkeqësi të tjera natyrore.”

I apasionuar pas traditës dhe valleve popullore në studion e tij të spikasin kostumet e trevave të ndryshme.

Përveç se koreograf, Ariani është dhe përgjegjës i veprimtarive masive artistike me fëmijët në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës e cila dhe pse e dëmtuar nga tërmeti dhe mbyllur nga pandemia e  organizoi të parin festival online, atë të Instrumentistëve të vegjël, që këtë vit shënoi edicionin e 6-të.

“Ishte shumë e vështirë, pasi jo vetëm fëmijët, po dhe prindërit ishin shumë të interesuar që video të dilte sa më bukur. Në fazën e parë morën pjesë 400 fëmijë dhe në fazën finale u përzgjodhën 120. Në të morën pjesë nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën. Një tjetër aktivitet online do të zhvillohet me rastin e 1 qershorit.”

Me ardhjen e qershorit, koreografi Plaku shpreson që lëvizjet, vallëzimi dhe gjithçka tjetër të vijojë normalisht. Pa ndërprerje, po duke mos harruar mësimin e marrë nga periudha e izolimit, ruajtjen e një balance të shëndetshme mes punës dhe familjes.

Top Channel