Protesta për të kërkuar drejtësi sa i takon vdekjes së George Floyd-it kanë shpërthyer dhe përpara godinës së CNN-it në Georgia të Atlantës, të premten në mbrëmje.
“Tulla, xhama të thyer dhe mbishkrime janë ato që kanë mbetur pas kësaj proteste” tregohen në pamjet e CNN-it.
Madje ndaj efektivëve janë hedhur dhe fishekzjarre.
“Skena ishte kaotike. Të paktën dy oficerë policie janë plagosur gjatë demonstrative” raportoi nga vendngjarja gazetari i CNN-it, Nick Valencia.
Demonstruesit të premten u mblodhën nëpër qytete të ndryshme të SHBA-së për të protestuar kundër vdekjes së afro-amerikanit të paarmatosur, i cili vdiq gjatë arrestimit të tij nga një polic i bardhë në Minneapolis të Minesotas.
Që nga e hëna kur Geroge Floyd vdiq pasi oficeri Derek Chauvin e shtriu për toke dhe ia vuri gjurin në qafë gjatë arrestimit për më shumë se tetë minuta, kanë shpërthyer protesta në Minneapolis. Megjithatë, policia u përlesh me protestuesit edhe në Los Angeles dhe New York City, mes qyteteve të tjera.
Përkundër protestave paqësore, disa dyqane u dëmtuan nga plaçkitjet, zjarrvëniet dhe përleshjet me policinë. Protestat u zhvilluan gjithashtu në Boston, Massachusetts dhe Memphis, Tenesi, Louisville, Kentucky, Detroit, Michigan dhe Houston, Teksas.
Protestat e reja shpërthyen disa orë pasi Chauvin u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim, sipas Prokurorit të Qarkut Hennepin, Michael Freeman, në Minneapolis.
Protestuesit po kërkojnë arrestimin e tre oficerëve të tjerë të policisë të shfaqur në pamjet video të kapura në vendin e ngjarjes kur Floyd u arrestua, dhe të dënohen së bashku me Chauvin. Të premten vonë, protestuesit u mblodhën në Minneapolis përkundër ndalesës së lëvizjes që u imponua nga kryetari i bashkisë Jacob Frey me shpresën për të shuar protestat e dhunshme. Frey të martën shkarkoi të katër oficerët.
Më herët gjatë ditës, një grup protestuesish u nisën drejt Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin e vendit, ku u përballën me një përgjigje të policisë dhe me disa përleshje me anëtarët e shërbimit sekret. Në Atlanta, protestuesit e Georgia-s dogjën një makinë policie dhe thyen xhamat e portës së përparme të selisë së CNN, sipas videove të qarkulluara në mediat sociale.
Një faqe e lajmeve në internet në Kansas City tha se gati 300 njerëz u mblodhën pranë Country Club Plaza për të protestuar. Sipas autoritetve lokale, protersta u përshkrua si paqësore.
Gjithashtu edhe në Denver, Colorado, Chicago, Illinois dhe Oakland, California mbajtën protesta.
Gjithkund ku protestohej, demostruesit mbanin banderolat ku shkruhej “Jeta e të zinjëve është e rëndësishme”, dhe brohorisnin “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!” gjatë marshimit. Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën pasi thuhet se u përpoq të përdorte një banknotë të falsifikuar 20-dollarëshe në një dyqan lokal. Videoja e publikuar në Facebook e tregon atë të prangosur dhe bashkëpunues.
Megjithatë, policia pretendoi se ai i rezistoi arrestimit. Oficeri Chauvin ia vuri gjurin në qafë, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: “Nuk mund të marr frymë”.
Pas pak, Floyd duket se si humb vetëdijen, por oficeri vazhdon të mbaj qëndrimin ndaj viktimës. Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.
Më parë, presidenti Donald Trump tha se ai ka folur me familjen Floyd dhe u shprehu “ngushëllimet më të thella të kombit tonë dhe simpatitë më të përzemërta familjes së George Floyd”.
Top Channel