“Të formohet qeveria e re”/ Presidenti Thaçi fton partitë që ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

29/05/2020 10:29

Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të rregullt dekretin e tij për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, zyra e Hashim Thacit njoftoi një konferencë për shtyp në hyrje të Presidencës.

Thaçi i ka bërë thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim dhe kërkoi të formohet sa më shpejt qeveria e re.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në arsyetimin e saj, Gjykata sqaronte se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë kjo e drejtë i kalon një partie tjetër.

“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”, thuhet në vendim.

Duke e skandaloze lëvizjen e Gjykatës kushtetuese, Vetëvendosja ka paralajmëruar revoltë ndërsa vetëm pak orë para shpalljes së vendimit, bëri dhe “provën gjenerale” për rezistencën në sheshet përpara institucioneve qendrore.

Top Channel