Eksperti juridik, i përfshirë prej kohësh në Kosovë, Andrea Lorenzo Capussela, deklaroi se në vend po bëhet grusht shtet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugën formimit të Qeverisë Hoti.
Në një postim në Facebook, Capussela ka thënë se ky vendim nuk ka logjikë. “ “Kosovë: Ky është grusht shtet me maskim të shëmtuar ligjor. Është po ashtu puç i ngutshëm, sepse ky aktgjykim i pajustifikueshëm fiton vetëm disa javë: dihet që mund të mposhtet. Unë ashtu shpresoj”, ka shkruar ai. Të enjten Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e bëri të qartë se nuk e pranon këtë vendim. Kurti tha se nuk kishte pasur shpresa të mëdha tek ajo çfarë do të vendoste Gjykata Kushtetuese, por rezultati sipas tij ishte “përtej imagjinatës e nën çdo nivel logjik e juridik”. Respektim të vendimit kanë kërkuar sakaq edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Top Channel