Vendimi i Gjykatës Kushtetuese/ Thaçi: Isha i bindur që vendimet ishin në përputhje me Kushtetutën

28/05/2020 23:44

Në mbrëmje Gjykata Kushtetuese mori vendimin përfundimtar duke i dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin e formimit të qeverisë së re dhe duke rrëzuar kërkesën e Vetëvendosjes për zgjedhje të reja.

Pas këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi i presidentit. Thaçi shkruan se ka qenë i bindur se çdo hap i ndërmarrë nga ai ishte në përputhje të plotë Kushtetutën e Kosovës. Thaçi bën thirrje që ky vendim të respektohet nga të gjithë.

“E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se Kosovën e presin shumë sfida dhe se për këtë nuk duhet humbur kohë në formimin e qeverisë së re.

“Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Top Channel