Suedi, pasojat ekonomike në strategjinë për COVID-19

28/05/2020 22:33

Suedia ka mbrojtur përgjigjen e saj ndaj pandemisë globale COVID-19 dhe kundërshtoi “një matje të përjavëshme” të vdekshmërisë “që tregon se vendi skandinav ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë në botë”.

Megjithë qasjen e saj të debatueshme, ekonomia e vendit nuk i ka shpëtuar pasojave të rënda.

Ministrja e Jashtme Ann Linde tha se “transmetimi po ngadalësohet, trajtimi i pacientëve me COVID-19 në kujdesin intensiv po zvogëlohet ndjeshëm dhe kurba e numrit të vdekjeve është rrafshuar”.

“Ky nuk është një sprint, por një maratonë,” tha ajo duke kundërshtuar zërat se Suedia po paguan një çmim të lartë për qasjen e saj relativisht të butë për të luftuar koronavirusin, që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.

Por megjithatë, Suedia ka raportuar më shumë se 76,000 pushime nga puna që nga marsi.

Për më tepër, me 70 përqind të eksporteve suedeze që shkojnë drejt BE-së, mbylljet në Gjermani, Britani dhe tregjet e tjera kryesore pritet të godasin në mënyrë të konsiderueshme eksportet suedeze.

“Është një mit që jeta vazhdon normalisht në Suedi. Nuk ka asnjë bllokim të plotë të Suedisë, por shumë pjesë të shoqërisë suedeze janë mbyllur. Shumë suedezë janë prekur rëndë”, tha ministrja e jashtme.

Ministrja e Financave Magdalena Andersson adresoi çështjen e debatueshme të fondeve të rimëkëmbjes së BE të propozuara nga Gjermania dhe Franca.

“Ne gjithashtu shohim nevojën për një lloj fondi të rimëkëmbjes dhe mund të diskutojmë madhësinë e ndihmës. Mendoj se shifrat që kanë qenë pjesë e diskutimit deri tani janë shumë të larta, kështu që unë mendoj se duhet të diskutohet“, tha ajo.

Vendi ka paguar një çmim të rëndë, me më shumë se 4,000 vdekje nga COVID-19.

Suedia ka pothuajse 40 vdekje për 100,000 banorë krahasuar me rreth 10 në 100,000 në Danimarkën fqinje dhe pak më shumë se 4 për 100,000 në Norvegji, të cilat vendosën bllokime më të rrepta herët./VOA/

Top Channel