“Duam zgjedhje” ishte parulla kryesore e test-protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Në distancë nga njëri-tjetri, sipas LVV-së mbi 5 mijë persona ishin të pranishëm sot në sheshet “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Adem Jashari” në kryeqytet.

Brohoritjet nga qytetarët se duan zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, e emri i liderit të LVV-së Albin Kurti, e kanë shoqëruar gjithë këtë “test-protestë”, të dytën me radhë.

Në përfundim të protestës, thirrjeve të qytetarëve që brohorisnin emrin e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti, iu përgjigj duke i përshëndetur nga ndërtesa e Qeverisë.

Zëdhënësi i LVV-së Arlind Manxhuka, për KosovaPress tha se test-protesta ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe se sipas konfirmimeve të tyre, në sheshet e Prishtinës kanë qenë mbi 5 mijë persona.

Kjo test-protestë, sipas tij nuk ka për qëllim të bëjë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të marrë vendim rreth çështjes së mandatarit për kryeministër. E nëse do të ketë protesta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Manxhuka tha se për këtë do të vendosin organet e partisë.

“Kjo provë e jona kishte një synim ose një qëllim të vetëm, kishte improvizimin ose demonstrimin e një proteste në rrethana të reja të pandemisë së COVID-19. Që një kohë të gjatë kemi pasur presion nga qytetarët dhe aktivistët për të protestuar, mirëpo në anën tjetër kemi pasur edhe pandeminë. Kështu që, kemi qenë të detyruar që në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së të improvizojmë një protestë, mirëpo në përmasa më të mëdha siç ishte kjo e sotmja që dëshmon se mund të protestohet edhe në këto rrethana edhe në mënyrë paqësore, gjithçka shkoi në mënyrë të rregullt. Pas vendimeve, sigurisht se do të mblidhen organet e Lëvizjes dhe do të vendosin për këtë gjë”, tha ai.

Sa i përket raportimeve se qytetarët që kanë marrë pjesë në këtë “test-protestë” janë paguar nga LVV-së, Manxhuka tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Fatkeqësia më e madhe është që duhet t’i përgjigjemi këtyre shpifjeve, nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Gjithë këta janë anëtarë dhe aktivistë të LVV-së, po edhe qytetarë të Republikës, të cilët demonstruan që edhe në shi dhe në mot shumë të keq sot janë të gatshëm të protestojnë, por gjithnjë sipas rekomandimeve të IKSHPK-së për ruajtjen e shëndetit”, tha ai.

Tash e sa ditë në sheshet e kryeqytetit janë vendosur shenja të kuqe, ku po demonstrohet protesta në distancë sociale. Test-protesta e Lëvizjes Vetëvendosje e cila u thirr nga ora 17:00 filloi me të reshurat e shiut.

Kjo bëri që protestuesit të grumbullohen pranë Teatrit Kombëtar duke i shkelur rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Qerim Zeneli, bashkë me shokë e familjarë nga Mitrovica, kanë ardhur sot për t’i bashkuar provës për protestë në sheshet e kryeqytetit. Ai kërkon që të ndryshojë qeverisja që ka qenë nga paslufta, ku bën thirrje edhe për zgjedhje.

“Këtu kemi ardhur për pakënaqësitë që janë krijuar në Kosovë. Se kur është shpallur pavarësia nuk kanë qenë 114 deputetë, kur për rrëzimin e qeverisë u bën 114 deputetë. Marria e marrisë, këta 84 deputetë do të mbeten në histori si tradhtarë të kombit shqiptar. Të rrëzohet qeveria në kohë pandemie, kjo nuk ka ndodhur askund në asnjë shtet në botë. Nuk e di edhe çka duhet pushtetet e kaluara të veprojnë me këtë popull. Ende po tentojnë të vazhdojnë korrupsionin, nepotizmin, keqpërdorimet që janë bërë 20 vjet”, tha Zeneli.

I gatshëm për të protestuar është edhe Xhelal Shyku nga Mitrovica, i cili tregon për pakënaqësitë që ka.

“Jemi të gatshëm që edhe në protestat e ardhshme të dalim, kemi dalë kundër këtyre marrive që po ndodhin te ne”, tha ai.

E Ramos Artolli nga Malisheva thekson dëshirën për zgjedhje, derisa ka shumë pritshmëri nga Kushtetuesja.

“Kemi ardhur një grup i Bellanicës, aktivistë. Na mundojnë këto padrejtësi. Me mjete paqësore kërkojmë që Kushtetuesja ta kryejë punën siç duhet, mos të anojë andej kah ka anuar qe 20 vjet. Populli dëshiron zgjedhje dhe ka treguar qëllimin dhe vullnetin e vet për ndryshim. Ndryshimi është bërë, këta e shkelën ndryshimin me mocionin e mosbesimit”, shprehet ai.

Ahmet Gerxhaliu, banor i Vushtrrisë thotë se erdhi sot për ta përshëndetur kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

“Kemi dalë ta përshëndesim Albin Kurtin dhe t’i urojmë të mira e shëndet e Allahu i priftë, se njeri më të mirë në Kosovë veç Ibrahim Rugova ka qenë i drejtë. Populli shqiptar prej luftës e këndej, veç dëm ka shkuar dhe s’ka më as fabrika që kemi pasur, as nuk e kemi më atë liri që 80 për qind e kemi pasur shtetin tonë”, tha ai.

Pezullimi i dekretit të presidentit për emrin e mandatarit do të përfundojë nesër dhe Gjykata Kushtetuese pritet të sjellë vendimin final rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Top Channel