Super-gjyqi i spiunazhit/ Rusia kërkon 18-vjet burg për ish-marinsin amerikan

26/05/2020 17:10

Prokurorët në një gjyq spiunazhi në Rusi kanë kërkuar 18 vjet burgim për ish-marinsin amerikan Paul Whelan për pranimin e sekreteve shtetërore, tha dje avokati i tij.

Në sesionin e radhës së gjyqit në Moskë, avokati i Paul Whelan, Vladimir Zherebenkov tha se prokuroria kishte kërkuar dënim një “koloni të rëndë burgosjeje” për klientin e tij.

“Të them të drejtën jemi të shokuar. Prokurorët kanë kërkuar dënime shumë të ashpra por Whelan po sillet me shumë dinjitet,” tha Zherebenkov jashtë gjykatës.

Ai shtoi se prokurorët besonin Whelan është anëtar “të paktën me rang kolonel”, i agjencisë së inteligjencës SHBA.

Whelan tha në gjykatë se “nuk kam bërë spiunazh dhe nuk kam mbledhur asnjë informacion sekret “, sipas avokatit.

Dënimi i qytetarit amerikan 50-vjeçar, i cili ka gjithashtu pasaportë britanike, kanadeze e irlandeze, pritet të jepet më 15 qershor.

Ai u arrestua në dhjetor 2018 teksa ishte duke vizituar Rusinë për të marrë pjesë në një martesë por sipas tij, ra në grackë kur pranoi një fishë USB nga një i njohur, duke besuar se kishte vetëm foto pushimesh.

“Në një sistem të drejtë, gjykata do ta kishte lënë të lirë Paul bazuar në mungesën e provave. Por me shumë gjasa do të jepet një vendim i gabuar fajësie dhe ne vetëm shpresojmë që dënimi të mos jetë shumë i rëndë,” tha vëllai i Whelan, David.

Gjyqi ka nisur në mars të këtij viti me dyer të mbyllura në Moskë, megjithë pandeminë e koronavirusit dhe protestat diplomatike.

Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan ka kritikuar disa herë trajtimin e Whelan duke thënë se ishte e “patolerueshme” që atij i mohohej kujdesi shëndetësor dhe i ndalohej takimi me familjen.

Whelan thotë se provat që ai ka sjellë për pafajësinë e tij nuk po merren në konsideratë dhe se gjykata është e njëanshme në favor të prokurorisë dhe shërbimeve ruse të inteligjencës.

Autoritetet ruse kanë ndaluar gazetarët dhe punonjësit e ambasadës së SHBA në seancat gjyqësore prej rregullave të pandemisë së koronavirusit.

Top Channel