Reforma në Drejtësi/ Ambasada amerikane deklaratë: Nuk duhet humbur përqëndrimi, mos u çorientoni!

26/05/2020 12:33

Ambasada amerikane në një deklaratë për Reformën në drejtësi në vend shprehet se “Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar”.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës, por se nuk duhet humbur përqëndrimi.

“Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, thuhet në deklaratë.

Deklarata

Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar. Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për t’i bërë ato funksionale. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar. Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi.

 

 

Top Channel