Në përputhje me vlerësimin e duhur, Mali i Zi do të hapë kufijtë e tij me vendet që plotësojnë kriteret e Institutit të Shëndetit Publik në ditët e para të qershorit, njoftoi kryeministri Dushko Markoviq.
Në një konferencë për media, Markoviq tha se kriter i Institutit për Shëndet Publik për hapjen e kufijve janë të paktën 25 pacientë në raport me 100 mijë banorë. “Vendet e para me të cilat do të hapen kufijtë janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria, Greqia, dhe mundësisht edhe disa vende tjera rajonale,” tha Markoviq pa specifikuar nëse bëhet fjalë edhe për Kosovën.
Kur u pyet nga gazetarët për hapjen e kufijve, Markoviq tha se ishte çështje besimi.”Ne do të hapim kufijtë për vendet që kanë një status të ngjashëm epidemiologjike. Ne nuk do të kërkojmë asnjë provë speciale. Të gjithë do të marrin udhëzime të qarta se çfarë i presin ata në vend, dhe cilat rregullore duhet të respektojnë. Dhe besoj se kjo është e mjaftueshme në këtë moment për të parandaluar importin e virusit në Mal të Zi”, tha Markoviq.
Në Mal të Zi, 324 njerëz janë sëmurë me koronavirus që nga fillimi i epidemisë, 315 janë shëruar, dhe 9 pacientë kanë vdekur. Ndryshe, Mali i Zi është vendi i parë në Evropë pa raste aktive të koronavirusit.
Top Channel