Europianët shijojnë lirinë/ Zbuten masat e ndërmarra ndaj Covid-19

25/05/2020 22:10

Evropa po hapet më tej me qytetarët e saj që po shijojnë liritë që u munguan gjatë pandemisë së koronavirusit.

Cekët, adhurues të birrës, mund të kthehen më në fund në pabe, por me masa distancimi social dhe maska në ambjente të mbyllura. Cekia është vendi me shifrën më të lartë të birrës së konsumuar për frymë, në botë. E hëna, shënon fazën e fundit të zbutjes së masave në republikën ceke, që është prekur më pak se vende të tjera evropiane nga koroavirusi por që ishte e para që e bëri mbajtjen e maskës në publik të detyrueshme.

Spanja, kishte një nga izolimet më të ashpra në Evropë, por parqet e mëdha të qyteteve të saj, muzetë dhe qendrat e tjera kulturore po rihapen ndërsa vendi hyn në fazën e katërt të zbutjes së masave. Ka kufizime strikte të numrave; ambjentet e mbyllura mund të funksionojnë me cerek kapaciteti ndërsa eventet në ambjente të hapura kufizohen në maksimumi 200 persona.

Italia ndërkohë ka hapur palestrat dhe pishinat, por me rregulla strikte higjiene dhe rregulla distancimi social. Përvec Lombardisë, rihapja po vonohet edhe në bazilikata në jug dhe në Bolonja. Ambjentet sportive në lombardi mbeten të mbyllura deri më 31 maj.

Greqia po hap ishujt e saj për udhëtarët nga pjesa tjetër e vendit por jo akoma për turistët e huaj. Kjo do të thotë që shumë grekë me shtëpi pushimesh në ishuj mund të shkojnë në to për tu çlodhur dhe për të mbështetur ekonominë lokale. E ky është një clirim pas muajsh izolim por edhe një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në jetë të industrisë së rëndësishme të turizmit në vend, që zë një të pestën e ekonomisë. Sa i takon kufijve, ato ende mbeten të mbyllur. Greqia do të hapet për turistët e huaj nga 15 qershori. Spanja do ta bëjë këtë nga korriku ndërsa Italia nga 3 qershori.

Të hënën, fëmijët polakë kishin radhën të ktheheshin në klasa. Por shumë prindër kanë vendosur ti mbajnë ata në shtëpi pasi viti shkollor përfundon më 26 qershor dhe ata nuk mendojnë se ia vlen të përballet rreziku i infektimit për pak javë në klasë.

Top Channel