Sri Lanka/ Lejohen dasmat gjatë pandemisë, por dhëndri nuk puth dot nusen

24/05/2020 01:53

Sri Lanka hoqi masat kufizuese që ndalonin organizimin e dasmave në mesin e pandemisë së koronavirusit, por në bazë të rregullave të reja dhëndrit nuk i lejohet të puthë nusen. Të paktën, jo në publik.

Pasanikët e këtij vendi organizojnë zakonisht ceremoni martesore me mijëra të ftuar. Kremtimet në raste të tilla zgjasin shpesh me ditë të tëra e përfshijnë shumëllojshmëri ushqimesh, pije, vallëzim e këngë.

Por udhëzimi i fundit nuk lejon që në dasma të ketë më shumë se 100 të ftuar, të cilët duhet të rrijnë një metër larg njëri tjetrin e të mbajnë maska. Këtu nuk përjashtohet as çifti që po lidh kurorë. “ Nuk do të lejohen puthje, përqafime apo shtrëngime duarsh”, thanë zyrtarë vendas. Njerëzit sipas tyre në evente të tilla, duhet të përshendeten pa u prekur.

Sri Lanka e vendosi karantinën në 20 mars, por i ka kufizuar ndjeshëm masat e izolimit në mjaft zona që nuk konsiderohen me rrezikshmëri të lartë. Vendi me 21.67 milionë banorë numëron 1.000 infektime dhe vetëm 9 vdekje nga koronavirusi.

Top Channel