“Shpërthim shurdhues”/ Rrëzimi i avionit në Pakistan, shkon në 92 numri i viktimave- nis hetimi

23/05/2020 10:51

Të paktën 92 persona e kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të avionit në qytetin jugor të Pakistanit, Karaçi, njoftuan sot autoritetet e këtij vendi.

Avioni me numër fluturimi PK-8303 që udhëtonte nga qyteti verilindor Lahore, u rrëzua pranë Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah ndërsa ishte duke ateruar, konfirmoi Autoriteti i Aviacionit Civil në një deklaratë. Aksidenti ndodhi disa ditë pas rifillimit të fluturimeve vendore pas heqjes së masave bllokuese që ishin në fuqi prej një muaji me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Kryeministri pakistanez, Imran Khan urdhëroi një hetim për rrëzimin e avionit të dytë që nga viti 2016. Departamenti i Shëndetësisë në provincën Sindh, kryeqyteti i së cilës është Karaçi, konfirmoi se 60 trupa u dërguan në Qendrën Mjekësore Pasuniversitare Jinnah ndërsa 32 trupa u dërguan në Spitalin Civil Ruth Pfau. Njëzet nga të lënduarit janë në gjendje kritike dhe u dërguan gjithashtu në Ruth Pfau.

Autoritetet, të cilët më herët ishin të paqartë nëse të vdekurit dhe të plagosurit ishin pasagjerë ose banorë të lagjes, më vonë thanë se të gjithë të ndjerit ishin pasagjerë në avion ndërsa disa banorë të lagjes u plagosën nga rrëzimi i avionit.

Deri më tani, dy persona, përfshirë Zafar Masood, bankierin më të madh të vendit janë raportuar si të shpëtuar nga aksidenti. Raportohet se gjendja e tyre është e qëndrueshme. Janë identifikuar 19 nga të vdekurit, por shumica e trupave kanë pësuar djegie të rënda që vështirësojnë identifikimin, thanë zyrtarët shëndetësorë. Zyrtarët filluan të mbledhin mostra të ADN-së për të identifikuar viktimat.

Në mesin e udhëtarëve që ishin nisur për të festuar Fitër Bajramin, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ishte edhe gazetari i njohur Ansar Naqvi. Ekipet e shpëtimit besojnë se vetëm shtatë persona janë bllokuar nën rrënojat dhe asnjë nga banorët e zonës nuk ndodhet nën to.

Autoritetet zhvendosën dhjetëra banorë në një hotel lokal pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht.

Të mbijetuarit

Pamjet që transmetoheshin në “Geo News” treguan retë e tymit që dilnin nga mbetjet që digjeshin. Disa automjete gjithashtu u përfshinë nga zjarri.

“Avioni u rrëzua aq shpejtë. Unë nuk mund ta kuptoja në momentin e parë se çfarë po ndodhte”, u tha Rana Jawed gazetarëve.

Avioni u përfshi në flakë para se të rrëzohej duke shkaktuar një “shpërthim shurdhues”, tha ai. Ambulancat dhe automjetet e zjarrfikësve nxituan në vendngjarje, ku turma të banorëve të zonës ishin mbledhur tashmë.

Personeli i ushtrisë dhe policisë arritën në vendngjarje për të ndihmuar operacionet e shpëtimit, por rrugët e ngushta penguan lëvizjen e automjeteve të shpëtimit.

“Avioni filloi të dridhej pak para aterimit. Mendova se ishte vetëm për shkak aterimit. Por, pas disa sekondave, pati një shpërthim të madh dhe unë humba ndjenjat”, tha Zubair për “Geo TV” në një deklaratë nga spitali me telefon. “Gjithçka ishte e qetë dhe normale derisa avioni u përpoq të ateronte në një ulje urgjente në pistë, por nuk arriti ta bëjë këtë”, shtoi ai.

Sipas Zubair, piloti bëri një njoftim tjetër për ulje por krejt papritur, avioni rrëshqiti dhe goditi ndërtesat.

“Kishte zjarr, tym dhe britma përreth kur erdha në vetëdije. Zgjidha rripin tim të sigurimit dhe dola përmes një pjese të thyer të avionit”, tha ai.

Zubair, i cili fatmirësisht shpëtoi vetëm me plagë të lehta të djegies, u shoqërua nga banorët e zonës të cilët arritën në vendngjarje dhe e transferuan në spital. Zëdhënësi i PIA-s, Abdullah Hafeez u tha gazetarëve se është herët të komentojë shkaqet e mundshme të rrëzimit. “Avioni nuk ishte i vjetër dhe ishte i mirëmbajtur”, tha ai.

Por, një raport fillestar i hetimit sugjeroi se një tufë zogjsh u përplas me avionin, tha “Geo News”.

Thirrja për ndihmë

Kontakti i fundit midis pilotit dhe kullës së kontrollit të transmetuar në “Geo TV” sugjeroi se përplasja ishte rezultat i një defekti në motor.

“Kam humbur motorin”, u dëgjua piloti Sajjad Gul duke i thënë kullës së kontrollit në një mesazh të ndihmës.

Fjala e fundit e Gul ishte “në rregull”, në përgjigje të direktivës së kullës së kontrollit se dy pistat janë të hapura për një ulje emergjente. Presidenti pakistanez, Arif Alvi, kryeministri Imran Khan dhe shefi i ushtrisë gjeneral Qamar Javed Bajwa shprehën pikëllim për humbjen e jetëve në aksidentin ajror.

“I tronditur dhe i trishtuar nga përplasja e PIA-s. Jam në kontakt me drejtorin e përgjithshëm të PIA-s, Arshad Malik, i cili është nisur për në Karaçi dhe me ekipet e shpëtimit dhe ndihmës në terren, pasi kjo është prioritet tani. Do të niset një hetim i menjëhershëm. Lutjet dhe ngushëllimet shkojnë për familjet e të ndjerëve”, tha Khan në një postim në Twitter.

Në dhjetor të vitit 2016, një avion i PIA-s ishte rrëzuar në ultësirat e qytetit veriperëndimor Chitral, me çka të gjithë 48 pasagjerët në bord kishin humbur jetën.

Top Channel