Nga Raimond CIMBI, Producent “Hipokrati”
Po! Teatri nuk duhej shembur!
Po! Teatri i “vjetër” duhej mbajtur për Muze!
Po! Duhet ndërtuar një teatër i ri, i denjë për një kryeqytet europian!
Po si duhej mbrojtur Teatri nga shembja, dhe mbi të gjitha kush do e mbronte atë?
Cfarë do e detyronte Qeverinë të tërhiqej nga shembja?
Sigurisht forca numerike popullore!
Dmth njerëzit…që duhej të ishin të shumtë, me mijëra. Duhej të ishin shumë më tepër se policët. Përballë forcës popullore nuk ka Qeveri që reziston.
Kam dëgjuar këto ditë të thonë që “ne shqiptarët nuk e kemi kulturën e protestave, ndaj Qeveritë bëjnë qejf”.
Nuk është e vërtetë!
Kemi shembullin autentik “Made in Albania”: Protesta masive mbarëpopullore për asgjesimin e armëve kimike siriane. Kjo ndodhi jo larg, Nëntor 2013. Në pushtet e njëjta forcë politike si dhe sot. I njëjti Kryeministër, Edi Rama.
I trysnuar nga protesta masive e mijëra të rinjve dhe të rejave, Kryeministri Rama, në një fjalim drejtuar popullit të vet, u detyrua të deklaronte: “Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mëndjen, e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj. Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mire”. Kjo copëz nga fjalimi i atëhershëm i Edi Ramës duhet të hyjë në rekordet kur një Kryeministër përgëzon protestuesit e “mirë” të cilët kontribuan për një vendim të “mirë” të Qeverisë, në favor të popullit të vet.
Po me Teatrin cfarë ndodhi?
Në vend të protestueve u panë politikanët “e këqinj”. Të vetmit që nuk kishin punë aty!
Aty munguan shumica dërrmuese e aktorëve, aty munguan ata që solidarizoheshin me protestën nga divani, duke shfryrë vrerin e tyre nëpërmjet facebook-ut, aty munguan studentët, aty mungoi populli i thjeshtë artdashës.
Në pamjet filmike që përcollën edicionet e lajmeve të të gjitha stacioneve televizive, cuditërisht në ballë të protestës u panë pothuaj të gjithë deputetët e opozitës.
Në këtë protestë u njohëm me një nocion të ri: politikani dezhurn, në ruajtje të kauzës më të pastër, civile dhe artistike.
Në protestën unikale për nga rezultati që korri, asaj për asgjësimin e armëve kimike siriane, në momentin që në sheshin “e tyre” zbarkuan politikanët, protestuesit i zbuan, publikisht, duke mbajtur të pastër kauzën e tyre, atë kauzë për të cilën sot të gjithë i jemi mirënjohës, madje edhe vetë Kryeministri. Kjo pastërti mblodhi rreth vetes forcën numerike popullore të cilës nuk i rezistoi Qeveria.
Gllabërimi që politika i bëri kauzës së Teatrit e ftohu protestuesin “e mirë”, atë të pastrin dhe më të vendosurin, e largoi atë.
Këta nuk mund të pranonin të kishin në krah të qëndresës politikanin, i cili për dekada, e ushtroi pushtetin për t`u pasuruar vetë dhe befas një ditë u gdhi dezhurn për të ruajtur Teatrin, krah për krah me artistin, i cili aktroi për vite të tëra në një skenë mizerabël.
Pra, forca numerike popullore, ajo e duhura për të detyruar Qeverinë të tërhiqej, mungoi.
Në këtë kuptim, organizatorët e qëndresës së Teatrit dështuan.
Të kenë qenë aq naivë sa të mos kuptonin pështjellimin negativ që sjell te qëndrestarët e vërtetë përzierja e politikës në të tilla aksione të fuqishme qytetare?
Koha do e provojë!
Të jenë vënë në shërbim të politikës?
Nuk i mbetet vec përgjegjësia morale!
Top Channel