Me rastin e Fiter Bajramit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau ndihma në ushqime për familjet besimtare në Farkë.

Edhe pse për shkak të pandemisë, këtë vit do të mungojë falja në shesh, Bashkia e Tiranës është kujdesur që kjo festë të festohet në të gjitha familjet e kryeqytetit. Teksa vizitoi familjet e Rushit Ferhatit, Fuat Hafuzit, Flor Kolës dhe Asllan Ferhatit, Veliaj përcolli një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Uroj të gjithë besimtarët që Zoti t’ua pranojë sakrificën. Gëzuar festën e Bajramit dhe dhëntë Zoti që vitin tjetër edhe adetet, faljen iftarët t’i bëjmë siç duhet”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë falenderoi të gjithë drejtuesit fetarë. “Faleminderit të gjithë imamëve dhe atyre që Zoti i ka thirrur për të shërbyer. Në fakt, Zoti na ka thirrur të gjithëve të shërbejmë. Pyetja është ku? Dikë e ka thirrur të shërbejë në xhami, një tjetër në bashki, një tjetër në spital ose të ruajë rendin si polic, dikë tjetër në ushtri apo si shofer autobusi. Pra, secili prej nesh është thirrur të shërbejë diku. E nëse secilën prej punëve tona e shohim si një shërbesë ndaj Zotit, puna bëhet perfekt”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi ndihmën që komuniteti mysliman dha këtë periudhë të pandemisë për respektimin e distancës sociale dhe solidaritetin e madh të treguar me njerëzit në nevojë. “U jam mirënjohës të gjithë vëllezërve dhe motrave që drejtojnë komunitetin mysliman. Kanë drejtuar ndoshta muajin më të jashtëzakonshëm dhe më të çuditshëm të Ramazanit, në një kohë kur është dashur të ruajmë distancën, të mbyllen faljet në xhami. E kanë bërë këtë me kaq shumë dinjitet dhe fisnikëri, pa e humbur misionin, se shërbesa dhe solidariteti me njëri-tjetrin, janë realisht shpirti i kësaj sakrifice”, theksoi Veliaj.

Imami i zonës, Hoxhë Rushiti i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut për vëmendjen e treguar ndaj Komunitetit Mysliman. “Jemi të kënaqur sepse e kurorëzuam me sukses këtë muaj të shenjtë. Dashtë Zoti fuqiplotë të na e ketë pranuar! Ramazan do të thotë që të mos përgojosh njeri, të mos shpifësh, të mos ngatërrosh, të mos gënjesh. Këto janë arsyet kryesore që e bëjnë njeriun njeri. Mirënjohje dhe respekt shumë për kryetarin, i cili gjeti kohë të na urojë muajin e madhërishëm të Ramazanit”, u shpreh ai.

Më herët, kreu i Bashkisë Erion Veliaj inspektoi edhe palestrën e re në Farkë, e cila plotëson të gjitha standardet për zhvillimin e ndeshjeve të volejbollit apo basketbollit, ndërkohë që mund të përdoret edhe nga komuniteti i zonës.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA