Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet në bllokun “Enver Preza” në Sauk, rikonstruktohen edhe 7 rrugë

22/05/2020 16:15

Veliaj: “Do jetë vera e parë pas 30 vitesh që s’do ketë pluhur në këtë lagje të Saukut; Do të vendosim edhe koshat e rinj”

Edhe pse periudhë pandemie, një tjetër bllok në zonën e Saukut i është nënshtruar rehabilitimit të plotë duke rritur cilësinë e jetës së banorëve dhe vlerën e pronës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen në këtë projekt, që përfshin dhe rikonstruksionin e shtatë rrugëve: “Enver Preza”, “Abaz Fejzo”, “Andon Lufi”-1, “Andon Lufi-2”, “Besim Baxhaku”, “Lame Kreco”, “Ethem Gjinushi”.

Kryebashkaiku Veliaj theksoi se ky është një tjetër xhevahir që del në dritë në këtë zonë, ndërkohë që siguroi se investimet do të vijojnë edhe me blloqet e tjera. “Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, kemi filluar parvjet me “Hermna Gmeinner” edhe rehabilituam të gjithë atë territor, vazhduam vjet me “Danish Jukniun”, rehabilituam gjithë atë bllok. Rikthehemi prapë sivjet, tani me një bllok tjetër “Enver Preza”, që ka filluar me një bizhu, me një xhevahir, tek sheshi para xhamisë, ku është bërë një kënd lodrash, dhe më vjen mirë që xhamia që ishte rrethuar nga dhera dhe nga plehra, në këtë muaj të Ramazanit ka dalë në dritë dhe fëmijët luajnë te sheshi përpara, teksa besimtarët do të kenë ritet e tyre që do të vazhdojnë edhe pas koronavirusit dhe pse ky Ramazan është komplet i pazakonshëm nga mungesa e mundësisë për t’u mbledhur dhe për të gëzuar bashkë”, tha Veliaj.

Ndonëse shumë pranë qytetit, kjo do të jetë vera e parë për banorët e këtij blloku banimi në Sauk që nuk do të kenë më rrugë me pluhur, ndërkohë që merr zgjidhje edhe çështja e kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza. “Jam i lumtur që një prej blloqeve që është stabilizuar në Tiranë që në fillim të viteve ’90, ku ka një miks midis familjeve autoktone dhe familjeve që i janë bashkuar më vonë, ka dalë sot në dritë. Për punë 1 muaji, besoj 4-5 javësh do të fillojmë me asfaltin dhe do jetë vera e parë pas 30 vitesh që s’do ketë pluhur më në këtë lagje të Saukut”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për mirëmbajtjen e këtij investimi në mënyrë që puna të shtrihet edhe në blloqet e tjera. Ndërkaq, në këtë zonë do të vendosen edhe koshat e rinj për mbetjet. “Kërkesat për banorët janë këto: Nëse ne do i përgjigjemi siç i jemi përgjigjur me kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, me trotuar, me gjelbërim, me asfalt, me ndriçimin LED, do duhej që të na përgjigjen në vetëm një gjë, ta mirëmbajnë, e ta mbajnë pastër. Do vendosim edhe koshat e rinj. Një qytet i cili është Qyteti Evropian i Rinisë në 2022 dhe një qytet që po del edhe në lajme ndërkombëtare për gjithë risitë që sjell, edhe për korsitë e biçikletave, edhe për të qënit miqësor ndaj fëmijëve, edhe për shkollat e reja, edhe për ndërtimet pas tërmetit, edhe për ndërtimet ikonë siç do jetë Teatri i Ri, apo Piramida, duhet të jetë edhe një qytet i pastër dhe nuk mund të jetë qytet i pastër vetëm në qendër, ndaj duhet të jetë qytet i pastër edhe në periferi”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Bashkia e Tiranës po vijon me një sërë investimesh të rëndësishme në kryeqytet, ku një vëmendje të posaçme ka edhe projekti i “100 lagjeve”.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel