Amerika Latine tejkalon SHBA-në dhe Evropën me rastet ditore të COVID-19

22/05/2020 10:58

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Amerika Latine ka tejkaluar SHBA-të dhe Evropën në numrin e infeksioneve të reja ditore të koronavirusit të ri (COVID-19).

OBSH theksoi se 106 mijë raste të reja të koronavirusit u raportuan në 24 orët e fundit në mbarë botën, shifër më e lartë ditore që nga fillimi i shpërthimit, shumica e të cilave u raportuan në vendet e Amerikës Latine.

Brazili

Brazili duket si epiqendra e re globale e pandemisë. Me më shumë se 291 mijë rase të konfirmuara dhe pothuajse 19 mijë vdekje, kombi më i madh i Amerikës Latine pritet të tejkalojë Rusinë si vendi i dytë me numrin më të madh të rasteve në botë, pas vetëm SHBA-ve.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, është nën presion në rritje për trajtimin e tij të shpërthimit, i cili po hedh dyshime për rizgjedhjen e tij dhe shumë dyshojnë nëse madje do të përfundojë mandatin e tij.

Ekuadori

Ministri i Mbrojtjes i Ekuadorit, Oswaldo Jarrin, dje raportoi se 800 ushtarë janë testuar pozitiv ndaj koronavirusit dhe se janë regjistruar shtatë vdekje midis pjesëtarëve të forcave të armatosura për shkak të virusit.

Ekuadori ka raportuar 34.854 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 2.888 vdekje. Kulmi i infeksioneve pritet gjatë javëve në vijim në Quito, kryeqyteti i vendit i cili tani ka një normë të ngjashme të infeksioneve si Guayaquil, qyteti më i prekur nga COVID-19.

Quito tashmë ka filluar të ndjejë efektet e epidemisë në kapacitetin e saj të kujdesit në spitale. Kreu i kryeqytetit Quito, Jorge Yunda, ka urdhëruar që të ngrihet një spital i përkohshëm me qindra shtretër në shenjat e para të kolapsit në spitalet tjera.

Meksika

Meksika, e cila rastin e parë të koronavirusit e raportoi më 29 shkurt, ka regjistruar një kulm të ri në vdekjet nga COVID-19.

Autoritetet shëndetësore raportuan 424 vdekje të reja, duke e çuar në 6.090 numrin e përgjithshëm të vdekjeve. Deri më tani, në këtë vend gjithsej 56.594 persona kanë kontraktuar virusin.

Guatemala

Presidenti i Guatemalës, Alejandro Giammattei, dje tha se SHBA nuk është aleat i vendit të tij në luftën kundër pandemisë. Ai kritikoi qeverinë e presidentit amerikan, Donald Trump, për dëbimin e migrantëve të infektuar me COVID-19.

“Guatemala është aleat i SHBA-ve, SHBA nuk është aleat i Guatemalës”, tha Giammattei gjatë një dialogu virtual me Këshillin Atlantik me qendër në SHBA.

Giammattei tha se mbërritja e migrantëve me COVID-19 ka stërmbushur qendrat e karantinës në Guatemalë dhe ka shtrënguar sistemin e dobët shëndetësor të vendit.

“Ne e kuptojmë se SHBA dëshiron të dëbojë njerëzit, ne e kuptojmë këtë, por ajo që ne nuk e kuptojmë është se ata na dërgojnë fluturime të kontaminuara”, tha presidenti i Guatemalës.

Nga mbi 2.000 raste të koronavirusit në Guatemalë, autoritetet kanë raportuar rreth 100 migrantë të internuar nga SHBA-të me COVID-19.

Kuba

Kuba për shtatë ditë radhazi nuk ka regjistruar vdekje të reja nga koronavirusi. Numri i infeksioneve po ashtu është ulur në javën e fundit, larg nga mesatarja e 50 rasteve ditore të regjistruara gjatë muajit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare, epidemia ka filluar të vihet nën kontroll në ishullin e Kubës, ku që nga 11 marsi, kur u zbulua rasti i parë, 1.908 persona janë raportuar të infektuar dhe 80 të vdekur.

Sfida tani qëndron në radhët e gjatë që formohen jashtë dyqaneve për shkak të mungesës së ushqimit./AA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA