1-vjetori i misionit FRONTEX në Shqipëri, Ardi Veliu certifikatë punonjëses së Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare.

22/05/2020 16:53

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon certifikatë “Për shërbime të dalluara” Indra Briska, punonjëse e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare.

Gjatë mesditës së sotme, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, me rastin 1-vjetorit të nisjes së misionit FRONTEX në Shqipëri, zhvilluan një vizitë në Pikë Kufitare  Kakavijë.

Prej një viti, 415 oficerë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë patrulluar së bashku me Policinë Kufitare, në kuadër të këtij operacioni, i cili ka si qëllim kontrollin e flukseve të imigracionit të parregullt, parandalimin dhe forcimin e bashkëpunimit evropian.

Ky operacion ka pasur rezultate shumë të mira falë bashkëpunimit që Departamenti për Kufirin dhe Migracionin ka pasur me Menaxheren Operacionale znj. Indra Briska, e cila ka planifikuar burimet njerëzore dhe logjistike në funksion të zhvillimit të këtij operacioni në vendin tonë.

Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje, Drejtori i Përgjithshëm i PSH Ardi Veliu i ka akorduar znj. Briska certifikatë “Për shërbime të dalluara”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit në implementimin e Operacionit të përbashkët të Agjencisë Evropiane të Rojës Bregdetare, JO FOA Western Balkan në Shqipëri”.

Znj. Briska ka falënderuar drejtuesit e Policisë për këtë vlerësim dhe ka theksuar se do të vijojë të japë kontributin e saj për arritjen e objektivave të këtij operacioni.

Top Channel