Sfidat e mësimit online/ Mënyrat më të thjeshta dhe argëtuese për të mësuar nxënësit nga shtëpia

20/05/2020 20:12

Në Durrës, Edlira Katroshin e njohin si një nga mësueset më të mira të arsimit fillor, po në periudhën e pandemisë dhe ajo u përball me risinë dhe sfidën e mësimit online.

“Ishte e paplanifikuar dhe e menjëhershme, një përvojë e re që fillimisht na frikësoi, po tani u kthye në rutinë të përditshme. Tani jemi drejt fundit dhe them se ia kemi arritur, pasi 80 % e informacionit të dhënë është përvetësuar. Nuk mund të them 100% sepse ndryshe është kontakti me sy dhe kur i ke fëmijët përballë dhe është më e vështirë në këtë formë.”

Plot pasion dhe larg skemave klasike, mësuese Eda përpiqet të gjejë mënyra sa më të thjeshta dhe argëtuese për të përcjellë dijen te nxënësit.

“Kemi mësuar të gjithë. Kemi mësuar ne, nxënësit, po dhe prindërit. Ka qenë sfidë dhe për ta pasi kanë mësuar se sa e vështirë është të merresh me fëmijët e fillores, pasi me angazhimet e mëparshme nuk e kanë pasur mundësinë.”

I mungojnë nxënësit dhe kontakti me ta. Në këtë periudhë, rolin e prindit në klasë, ia kanë zëvendësuar vetë prindërit, të cilët kanë kaluar më shumë kohë me fëmijët e tyre .

“Fëmijët me prindërit janë më të afruar dhe janë njohur më mirë me njëri-tjetrin. Mua më mungon klasa dhe fëmijët, lojërat dhe mësimet e përditshme.”

Pas një dite të ngarkuar, leximi dhe shëtitja buzë detit mbeten mënyra më e mirë për të pushuar dhe rigjeneruar energjitë për ditën tjetër.

Top Channel