Mosmarrëveshje në Senat mbi një paketë të re financiare për koronavirusin

20/05/2020 03:44

Ligjvënësit amerikanë janë të ndarë në lidhje me hapat e ardhshëm të nevojshëm për të trajtuar sfidat e jashtëzakonshme ekonomike të shkaktuara nga kriza e koronavirusit.

Projekt-ligji për një paketë të re financiare prej 3 trilionë dollarësh e miratuar javën e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët nuk ka shanse të miratohet në Senatin e kontrolluar nga republikanët përpara se ligjvënësit të largohen nga Uashingtoni për pushimin Ditës së të Rënëve. Bisedimet për një kompromis treguan pak shenja përparimi.

“Ne duhet të vlerësojmë atë që tashmë kemi bërë. Të shikojmë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo, dhe ne do të diskutojmë mbi hapat e ardhshëm në dy javët e ardhshme,” tha të martën udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell. Zoti McConnell ka paralajmëruar se Kongresi duhet të vlerësojë ndikimin e Paketës së parë të ndihmës financiare (Aktit CARES), më madhja në historinë e Shteteve të Bashkuara, përpara se të shtojë më tej borxhin kombëtar. Por, ndërsa shumica e shteteve amerikane po fillojnë rihapjen me faza të bizneseve dhe shërbimeve të tjera publike, demokratët paralajmërojnë se kriza është largë përfundimit.

“Republikanët kanë një histori të gjatë të nënvlerësimit të kësaj krize dhe fondeve të nevojshme (për trajtimin e saj),” tha para gazetarëve senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në Senat. “Udhëheqësi McConnell tha se republikanët ende duan të bëjnë një pauzë. Në cilin planet janë ata? Koronavirusi nuk po bën pauzë. Humbjet e vendeve të punës po vazhdojnë. Po vazhdon edhe dëbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre. Ata janë duke injoruar të gjitha alarmet ekonomike, duke mos ndëmarrë veprime të mëtejshme”, shtoi ai.

Papunësia
Më herët të martën, Kryetari i Rezervës Federale Amerikane, Jerome Powell dhe Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin shpjeguan pasojat shkatërrimtare mbi ekonominë të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, por thanë se ata shpresojnë që një numër huash dhe ndihmash për familjet dhe bizneset do të siguronin një lehtësim të situatës në muajt e ardhshëm. “Niveli i papunësisë do të përkeqësohet para se të fillojë të përmirësohet”, tha Sekretari Mnuchin nga Departamenti i Thesarit në dëshminë e tij me videolidhje për Komisionin Bankar të Senatit.

Tashmë, 36.5 milionë njerëz të pushuar nga puna kanë aplikuar për të marrë përfitimet e papunësisë, një shifër që nuk është parë që nga Depresioni i Madh i viteve 1930. Ligjvënësit kërkuan informacion nga dy zyrtarët kryesorë ekonomikë në lidhje me ritmin e shpërndarjes së ndihmës së qeverisë dhe nëse qindra miliarda dollarë të miratuar tashmë nga Kongresi u janë dhënë bizneseve në nevojë të madhe për fonde ndërsa ato përballen me kolaps të menjëhershëm.

“Unë pres që i gjithë kapitali të shpërndahet,” tha Mnuchin. Por ai nuk pranoi të siguronte senatoren demokrate nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren, kritike e madhe e administratës së Presidentit Trump, se kompanive do t’u kërkohej që t’i kthejnë në punë të gjithë punonjësit e pushuar, ndërsa ekonomia me ngadalësi fillon të rimëkëmbet. Sherrod Brown, senator demokrat nga shteti i Ohajos dhe kritik i administratës së Presidentit Trump, e pyeti zotin Mnuchin nëse ishte shumë herët për këtë.

“Sa punëtorë duhet të japin jetën e tyre për të rritur (prodhimin e brendshëm bruto) me gjysmë përqindje?” pyeti senatori Brown. “Asnjë punëtor nuk duhet të japë jetën e tyre për ta bërë këtë, zoti senator, dhe unë mendoj se karakterizimi juaj është i padrejtë”, u përgjigj zoti Mnuchin. Zoti Powell shtoi, “të gjithë ne jemi të prekur, por barra po bie më së shumti mbi ata që kanë më pak aftësi për ta përballuar. Vlen të kujtojmë se masat e marra për të vënë nën kontroll virusin paraqesin një investim në shëndetin tonë individual dhe kolektiv. Si shoqëri, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar ata që vuajnë për të mirën e publikut”.

Normat e interesit
Rezerva Federale uli normat e interesit në afërsisht zero në mars. Zoti Powell premtoi se Rezerva Federale parashikon “të mbajë normat e interesit në këtë nivel derisa ne të jemi të sigurt se ekonomia ka tejkaluar krizën e fundit dhe është në rrugën e duhur për të arritur qëllimet tona maksimale të punësimit dhe stabilizimit të çmimeve”. Sekretari Mnuchin tha se qindra miliarda dollarë në grante dhe kredi për familjet dhe bizneset tashmë janë shpërndarë për të lehtësuar barrën ekonomike të vendit nga pandemia.

“Ne jemi dashamirës të punëtorëve të zellshëm amerikanë dhe bizneseve që po përballen me sfida të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së Covid-19”, tha Mnuchin. “Ne jemi detyruar të ndërmarrim hapa të pashembullt për të mbyllur pjesë të konsiderueshme të ekonomisë në interes të shëndetit publik.” Numri i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur në mbi 90,000, duke i bërë Shtetet e Bashkuara vendin me numrin më të lartë të viktimave të raportuara në botë. Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara pritet të arrijë në 143,000 deri në fillim të gushtit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA