Frika e koronavirusit nuk e ndaloi presidentin kroat, Zoran Millanoviq të shpallte zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 5 korrik.
Njoftimi i tij erdhi dy ditë pas shpërndarjes së parlamentit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, bashkë me Institutin Kroat për Shëndetësi Publike do të vendosin sesi do të zhvillohen votimet në kohën e pandemisë. Kryeministri konservator, Andrej Plenkovic deklaroi javën e shkuar se koalicioni tij qeveritar preferon që zgjedhjet të mbahen disa muaj larg datës së rregullt, në mënyrë që shteti të ketë një qeveri me mandat të plotë për të menaxhuar si duhet krizën ekonomike, të shkaktuar nga koronavirusi.
Ekonomia e Kroacisë pritet të tkurret për 9.4 për qind këtë vit për shkak të sëmundjes. Partia e qendrës së djathtë e Plenkovicit, Unioni Demokratik Kroat, duket se ka fituar përkrahje shtesë gjatë kësaj periudhe, pasi në disa sondazhe rezulton të jetë përpara rivalit kryesor, Partisë Social-Demokrate. Megjithatë, kritikët i përmendin sërish skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë kabinetin kroat që prej vitit 2016. Ish-republika jugosllave, që ka gati 4.2 milionë banorë, raportoi së fundi ulje të numrit të rasteve me koronavirus.
Top Channel