Demokrati Engel sugjeron arsye të tjera për shkarkimin nga detyra të Inspektorit të DASH

20/05/2020 03:15

Një ligjvënës i shquar demokrat sugjeroi të hënën se Presidenti Donald Trump mund ta ketë shkarkuar papritur Inspektorin e brendshëm të Departamentit të Shtetit javën e kaluar me urdhër të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo sepse ai ishte pranë përfundimit të një hetimi të debatueshëm për shitjet e shpejtë të armëve Arabisë Saudite vitin e kaluar.

Fillimisht, ligjvënësit demokratë thanë se presidenti Trump e shkartoi Steve Linick, inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, sepse ai po hetonte pretendimet se Pompeo dhe gruaja e tij Susan kanë përdorur një ndihmës qeveritar për detyra personale, të tilla si ecjen e qenit të familjes së tyre, marrjen e pastrimit kimik dhe bërjen e rezervimeve për darkë për çiftin. Por ligjvënësi Eliot Engel, kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha përmes Twitterit, “Kam mësuar se mund të ketë një arsye tjetër për qëllimet e shkarkimit të Linick. Zyra e tij ishte duke hetuar — me kërkesën time shpalljen e gjendjes së emergjencës nga Trump, në mënyrë që të mund të dërgonte armë në Arabinë Saudite. Nuk kemi ende pamjen e plotë, por është shqetësuese që Sekretari Pompeo donte që Linick të shkarkohej. ”

Zoti Engel tha se hetimi i inspektorit Linick përqendrohej në deklaratën e emergjencës së shpallur një vit më parë nga administrata Trump për të anashkaluar Kongresin për të miratuar 8.1 miliardë dollarë në shitje armësh në disa vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sh.B.A tha në atë kohë se armët ishin të nevojshme për të parandaluar atë që e quajti “ndikim të rrezikshëm” të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme. Sekretari Pompeo tha në një deklaratë një vit më parë se, “Këto shitje do të mbështesin aleatët tanë, do të forcojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe do t’i ndihmojnë këta vende të frenojnë dhe mbrohen nga Republika Islamike e Iranit.”

Por disa ligjvënës demokratë dhe republikanë dënuan shitjen e armëve, duke përmendur të dhënat e të drejtave të njeriut të sauditëve dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Shtëpia e Bardhë ka pranuar se Pompeo rekomandoi largimin e inspektorit Linick, për herë të katërt në javët e fundit që Trump ka shkarkuar një inspektor të përgjithshëm i cili ka luajtur një rol ose një tjetër në mbajtjen e administratës së tij përgjegjëse për veprimet e tij. Sidoqoftë, inspektorët e përgjithshëm në të gjitha agjencitë qeveritare i binden vullnetit të presidentëve amerikanë në këto poste.

Kritikët, mbështetës të lëvizjes
Senatori Bob Menendez, një demokrat nga Nju Xhersi dhe Engel i dërguan një letër të përbashkët Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar zyrtarët e administratës të dorëzojnë dokumentet që lidhen me shkarkimin e inspektorit LInick deri të premten. “Presidenti nuk mund shkarkojë inspektorët pa dhënë një arsye dhe arsyetim të duhur për Kongresin – të gjithë Kongresin. Arsyet sekrete nuk llogariten, “tha Menendez të dielën.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të dielën i tha kanalit CBS se shkarkimi i Linick ishte “i neveritshëm kur heq dikë që është atje për të ndaluar shpërdorimet, mashtrimet, abuzimet ose shkeljet e tjera të ligjit që … ata besojnë se po ndodh. “Pra, përsëri, le të hedhim një vështrim dhe të shohim,” tha Pelosi. “Presidenti ka të drejtë të largojë nga puna çdo punonjës federal. Por fakti është, nëse duket sikur është në shenjë hakmarrjeje për diçka që inspektori i përgjithshëm po bën, kjo mund të jetë e jashtëligjshme. ”

Republikanët dolën në mbrojtje të Trumpit. Këshilltari i tregtisë Trump Peter Navarro tha në emisionin “This Week” të kanalit ABC News, “Unë mbështes çfarëdo që tbën ky president përsa i përket vendimeve të tij për punësimet dhe pushimet nga puna. “Ka një burokraci dhe ka shumë njerëz në atë burokraci që mendojnë se u zgjodhën president ata dhe jo Donald J. Trump,” tha Navarro. Senatori republikan Ron Johnson nga Uiskonsën, i tha rrjetit CNN se ai mendon se “jo të gjithë inspektorët e përgjithshëm janë të barabartë” dhe tha se ata “shërbejnë sipas vullnetit të presidentit”.

Shkarkime të tjera
Trump më parë kishte shkarkuar Glenn Fine, i cili ishte duke mbikëqyrur përgjigjen e ndihmës financiare të qeverisë ndaj pandemisë koronavirus; Michael Atkinson, i cili ishte inspektor i përgjithshëm i bashkësisë së inteligjencës amerikane dhe që luajti një rol në nxitjen e procesit për shkarkimin e presidentit Trump në fund të vitit të kaluar; dhe Christi Grimm, inspektore e përgjithshëm e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore që Trump e akuzoi për realizimin e një “dosjeje fallso” për mungesat e furnizimeve mjekësore në spitalet amerikane që merren me pandeminë. Linick u emërua në postin e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit nga ish-presidenti Barack Obama, një demokrat që Trump shpesh e kritikon.

Top Channel