TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për gjyqtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″.
Daci në aplikimin e kryer prej tij në shkurt të vitit 2017, për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″. Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi.
Kështu me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur ndaj Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, duke e pezulluar nga atë funksioni Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Fillimisht hetimet nisën nga SPAK pas kallëzimit të bërë nga Besnik Cami, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por që më pas edhe ky i fundit u shkarkua nga detyra pasi kishte probleme me deklarimin e pasurisë.
Ndërkohë dokumentin për falsifikim të bërë nga Luan Daci, e ka bërë publik Antoneta Sevdari, prokurorja e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Apelimit, ku pjesë e trupës së gjyqtarëve më 28 shkurt 2019, ishte edhe Luan Daci. Antoneta Sevdari u shkarkua duke mos kaluar procesin e vettingut, me arsyetimin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm sa i përket kriterit të pasurisë. Me një letër drejtuar ONM-së ajo kërkon përfundimin e mandatit për gjyqtarët Luan Daci pasi nuk plotësonte sipas aj kriteret për të qenë pjesë e KPA.
Njoftimi: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka rregjistruar proçedimin penal Nr.56, viti 2020 për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″.
Shtetasi Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, me vendimin Nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: ″Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë″.
Në bazë të nenit 6, paragrafi (1), gërma (dh) të ligjit Nr.84/2016 ″Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, si dhe nenit 150, paragrafi (3) të ligjit Nr.96/2016 ″Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, i cili ka qënë në fuqi në momentin e aplikimit, ekzistenca e masës disiplinore ″largim nga puna″ përbënte shkak ligjor që shtetasi Luan Daci të mos plotësonte kriteret formale për të aplikuar në pozicionin vakant Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.54, datë 20.05.2020 ka vendosur ndaj shtetasit Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Proçedurës Penale, duke e pezulluar nga atë funksioni Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Top Channel