Në Komisionin Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media sot kanë raportuar përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës për gjendjen e pandemisë Covid-19 në komunat e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKK-së, Xhafer Gashi tha se gjatë këtij takimi diskutuan për gjendjen në komuna lidhur me sfidat, angazhimin dhe vështirësitë në komunat e Kosovës në këtë situatë pandemie.

Ai tha se vendimet e marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP të gjitha komunat po i respektojnë me përpikëri.
Gashi: Komunat po i respektojnë vendimet e marra nga MSH dhe IKSHP.

“I njoftuam për zhvillimet dhe bashkëpunimet që i kemi ndërinstitucionale në vend…Kanë qenë pyetje nga të ndryshmet ne i informuam për të gjitha aktivitetet që i ushtron Asociacionit i Komunave të Kosovës, kërkesat e kryetarëve, kolegjiumet, Këshilli i Kryetarëve e të gjithë e të gjitha me radhë që i kemi adresuar dhe marrjen e informatave nga institucione të ndryshme…Fillimisht ka qenë një problem në aspektin e komunikimit, i cili më vonë është rindërtuar dhe ka funksionuar jashtëzakonisht mirë. Edhe tani jemi në të njëjtën situatë të bashkëpunimit dhe të gjitha vendimet nga institucionet e nivelit qendror nga MSH për COVID19 dhe IKSHP të gjitha komunat janë duke i respektuar me përpikëri”, tha Gashi.
Kryesuesi i Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Medie, Mërgim Lushtaku tha se kanë pranuar një sërë ankesash nga qytetarët sa i përket masave kundër COVID-19.

Lushtaku ka kërkuar që të pezullohen gjobat e shqiptuara ndaj qytetarëve për mos respektim të masave kundër koronavirusit. Lushtaku: Kërkojmë të pezullohen dënimet që kanë pasur qëllim dënimin e qytetarëve.

“Në javët e para sidomos nuk ka pasur një trajtim të veçantë dhe të duhur nga qeveria e Kosovës, meqenëse pastaj është rregulluar duhet theksuar se edhe pse është rregulluar fatkeqësisht mënyrën ligjore nuk e ka ndjekur, prandaj edhe ka pasur aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që kanë rezultuar që vendimet e qeverisë Kurti në detyrë janë antikushtetuese. Gjatë debatit kemi ngritur edhe çështje të tjera është shumë për tu habitur që qeveria Kurti në detyrë duke pranuar 1 mijë teste nga Serbia e ka paraqitur si shpëtimtare. Nga aktgjykimet që kanë dalë nga Gjykata Kushtetuese, e dimë që kanë dalë masa që kanë qenë antikushtetuese, pikërisht mbi 2350 qytetarë të dënuar padrejtësisht. Kërkojmë nga organet kompetente sidomos nga qeveria që t’i pezullojë apo shfuqizojë dënimet që kanë pasur për qëllim dënimin e qytetarëve që kanë shkelur masat e qeverisë“, tha Lushtaku.
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, tha se bashkëpunimi në mes komunave dhe qeverisë në këtë kohë pandemie ka qenë i mirë. Sipas tij Asociacioni i Komunave do të vazhdojë bashkëpunimin në hartimin e planit për rimëkëmbjen ekonomike.
Ramadani: Bashkëpunimi në mes komunave dhe qeverisë ka qenë i mirë.

“Në këtë takim erdhëm në dakordim që bashkëpunimi në mes të komunave dhe qeverinë ka qenë shumë i mirë. Patën ankesa që dy ditët e para ose javën e parë më 15 mars kur kanë filluar masat. Pra, ka qenë java e parë ajo që i ka paraqitur problemet, por me kohën janë të gjitha vendimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës janë respektuar nga të gjitha komunat, nuk ka pasur komunë që nuk i ka respektuar. Në fund është konstatuar që asociacionit dhe të gjitha ato që lidhen me komunat do të vazhdojnë bashkëpunimin për hartimin e planit për rimëkëmbjen ekonomike në javët në vijim pasi duket se pandemia është në përfundim”, tha Ramadani. /KosovaPress/

Top Channel