Top Story/ Të ardhurit në Tiranë janë ulur, ndërsa ndërtimet janë shtuar ndjeshëm

19/05/2020 23:31

Sot, Tirana është një qytet që rritet dhe ndryshon përditë. Ky qytet është kthyer në “trofeun” e lakmuar nga të gjithë. Çdokush do të donte të studionte, të jetonte dhe të investonte në kryeqytet për shkak të mundësive që ai të ofron.

Nëse ju referohemi shifrave zyrtare do të vinim re se deri në vitin 2018 prurjet e banorëve në Tiranë ishin mbi 22 mijë banorë. Shifër kjo që do të fillonte të tkurrej një vit më pas duke rënë në afërsisht 11 mijë banorë. E njëjta shifër është regjistruar edhe për vitin 2020. Pra, kemi rritje të popullsisë së Tiranës me 11 mijë banorë, por krahasuar me 2018 kjo shifër është përgjysmuar.

“Gjithë kjo popullsi që po mblidhet në Tiranë është koncentruar në disa nyje të caktuara. Po ta shikosh kemi një mbledhje të madhe të popullsisë dhe nga ana tjetër kemi edhe një problematikë tjetër. Jo e gjithë sipërfaqja e pronësisë së paluajtshme është shfrytëzuar”, thotë Gent Kaprata, Urbanist

Analizuam lëvizjen e popullsisë drejtë kryeqytetit për të dalë në një analizë më të rëndësishme dhe me vlerë të lartë financiare. Bëhet fjalë për sektorin e ndërtimit.

“Gjatë gjithë kohës është ndërtuar. Shqipëria ka patur disa fonde banesash në kohë të ndryshme. Është fondi i viteve ‘50 , fondet e viteve ‘76 , të viteve ‘90 dhe pas viteve 90. Pas viteve ‘90 këto stile kanë qenë të stileve të ndryshme dhe të konstruksioneve të ndryshme. Stili i mëparshëm ka qenë me shtëpi të ulëta dhe karakteristika e tyre nuk e kalonte më shumë se katër kate. Kurse pas viteve ‘63 filluan të ndërtonin por edhe këto nuk i kaluan më shumë se 6 kate”, tregon Agron Hysenlliu, Drejtor i Insitutit të Ndërtimit

Në vitin 2019 sipas të dhënave zyrtare , janë dhënë më pak leje ndërtimi si numër, por është rritur sipërfaqja e dhënë për ndërtim. Kjo pasi ndërtimet për banesa kanë qenë më të larta.

Nëse flasim me shifra do të shohim se sipërfaqja e dhënë për ndërtim gjatë 2019 ishte rreth 1.5 milionë metra katrorë. Shifër kjo që ka pësuar rritje me rreth 55% krahasuar me një vit më parë. Sipërfaqja e dhënë për ndërtim në Tiranë, në total ka një vlerë prej 52 miliardë lekë.

“Nëse shohim në Tiranë po ndërtohet pa fund. Nëse bëjmë analizën nga vijnë këto para, nëse shoh kredinë bankare për ndërtimin ka qenë në stanjacjon. Nëse sheh të ardhurat e kompanive janë diku te një miliardë euro në vit dhe fitimet janë diku te 200 milionë euro në vit. Ndërkohë që ndërtimet janë shumë më të mëdha se këto. Kam bërë një analizë të firmave që kanë ndërtuar në Tiranë tre vitet e fundit dhe ka rezultuar se të paktën 60% e tyre nuk justifikojnë burimet financiare që kanë marrë për të ndërtuar këto apartamente. Duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për 500 milionë euro investime në vit për sektorin e ndërtimit sipas të dhënave nga INSTAT. Bazuar në sipërfaqen që është dhënë për leje ndërtimi”, tregon Ornela Liperi, eksperte ekonomie

Pyetja që lind natyrshëm është se kush do ti blejë këto banesa?! Po ti referohemi familjeve të krijuara në Tiranë për 2018, nuk e kapin numrin 6 mijë. Por edhe ky nuk është argument nuk i justifikon ndërtimet, pasi jo çdo familje e re ka fuqinë për të blerë një apartament, aq më shumë në Tiranë ku çmimet rriten dita ditës.

Top Channel