SHBA do të dërgojë në Rusi 200 ventilatorë koronavirusi

19/05/2020 17:55

Shtetet e Bashkuara thanë se do të nisin kësaj jave dërgesën e 200 ventilatorëve mjekësore si ndihmë drejt Rusisë, e cila ka tashmë numrin e dytë më të madh në botë të rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Rusia raportoi sot 9,263 infeksione të reja duke e çuar shifrën totale kombëtare në 299,941, si dhe 115 vdekje të tjera.

Ambasada e SHBA në Moskë ka thënë se Presidenti Vladimir Putin ka kërkuar asistencë dhe se presidenti Donald Trump ka ofruar të dërgojë 200 ventilatorë të prodhuar në SHBA.

Dy presidentët kanë folur në telefon më 7 maj.

Dërgesa e parë e 50 ventilatorëve do të dërgohet nesër, dhe pak pas saj dhe 150 të tjerët, tha ambasada në një deklaratë.

Kohët e fundit Rusia kishte dërguar si ndihmë në SHBA një sasi ventiluesish të prodhimit të saj, por zyrtarët në SHBA thanë se përfundimisht ato nuk u përdorën.
Çështja kishte të bënte me aparatet ruse Aventa-M, të cilat javës së kaluar ishin në qendër të një zjarri në spitalin e Moskës, që supozohej të ishte shkaktuar prej një qarku të shkurtër te ventilatorët.

Kjo bëri që Rusia të ndalonte përdorimin e ventilatorëve Aventa-M të prodhuar pas datës 1 prill.

Top Channel