Pas shërimit nga koronavirusi, kryeministri rus i rikthehet punës

19/05/2020 18:47

Kremlini bëri të ditur se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, është kthyer në punë, pasi është shëruar nga koronavirusi.

Një dekret i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, i botuar në faqen e internetit të Kremlinit, anuloi aktvendimin e tij të mëparshëm, me të cilin zëvendëskryeministri Andrei Belousov është emëruar ushtrues detyre, për shkak të sëmundjes së Mishustinit.

Mishustin ka njoftuar më 30 prill se është diagnostikuar me koronavirus.

Ai ka zhvilluar disa takime online me qeverinë e tij, derisa ishte në spital.

Të martën, autoritetet në Rusi thanë se kanë regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë vend.

Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë.

Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000.

Autoritetet njoftuan të martën edhe për 115 viktima.

Me këtë shifër, numri total i viktimave nga koronavirusi në Rusi arrin në 2,837.

Top Channel