Pakistan, vajzat adoleshente vriten me armë nga familjarët prej pamjeve online

19/05/2020 16:34

Dy vajza adoleshente janë vrarë në Pakistan nga familjarë të tyre pas daljes së pamjeve video ku ato shiheshin me një burrë.

Vajzat që besohet se ishin 16 e 18 vjeç, u vranë nga meshkujt e familjeve të tyre në fshatin e largët Vaziristan kësaj jave, pasi në pamje ato shiheshin në shoqërinë e një burri në një zonë të veçuar.

Pasi u vranë, ato u varrosën në fshatin e tyre nga familjarët.

Policia vendase konfirmoi se kishte arrestuar babanë e njërës prej viktimave dhe vëllanë e viktimës tjetër, për organizimin dhe kryerjen e vrasjeve.

Video e publikuar e vajzave, e cila është më pak se një minutë e gjatë, besohet se është xhiruar vitin që shkoi, por u përhap në rrjet vetëm disa javë më parë.

Tashmë policia po përpiqet të gjurmojë një vajzë të tretë që shfaqet aty, për t’u siguruar që të mos pësojë të njëjtin fat dhe ajo.

Zonat e largëta tribale të Vaziristan, në kufi me Afganistanin, njihen për rregullat e ashpra të “kodit të nderit” që vendosen ndaj grave, të cila shpeshherë nuk mund të dalin nga shtëpia të pashoqëruara.

Të ashtuquajturat “vrasje nderi” mbeten të zakonshme në zonat tribale të Pakistan, ndaj grave që besohet se kanë sjell turp ndaj familjes. Aktivistët thonë se rreth 1000 vrasje të tilla kryhen çdo vit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel