Gjyshërit shqiptar që ndihen si “djem të rinj”/ Dashuria për profesionin i mban ende gjallë

19/05/2020 16:03

Kemi vite që mjekun e njohur Flamur Topi, e shikojmë në emisionin e tij të shëndetit.

Mirëpo, edhe pse vitet kalojnë, ai duket sikur mbetet gjithmonë i ri. I ftuar në studion e emisionit “Shqipëria Live”, mjeku tha se sekreti për të “qenë i ri” është dashuria që ka për profesionin, por edhe për pasionin e tij të madh, letërsinë.

“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, por se si ndihesh. Mund të jesh i ri dhe e ndjen veten të plakur, mund të jesh i plakur por të ndihesh i ri. Meqenëse unë mjekësinë e kam dashur shumë i vogël dhe fatmirësisht kur mbarova klasën e shtatë dhe na thanë që të bënim tre zgjedhje, unë bëra mjekësi, mjekësi, mjekësi. Nëse një profesion e dashuron, asnjëherë nuk e ndien lodhjen. Unë në moshën 18-vjeçare e nisa bashkëpunimin në Radio Tirana, kur u krijua televizioni shqiptar nisa me programe mjekësor. Unë kam një emision të pandërprerë që nga viti 1961. Brezi ynë mund të krenohet me atë brez, sepse shkollat tona kanë qenë të forta. Pedagogët kanë qenë të shkëlqyer dhe prej tyre ne kemi përfituar shumë. Brezi ynë është brez mjekësh shumë të aftë dhe të zotë. Edhe sot ka mjekë shumë të mirë. Përveç mjekësisë një pasion i imi është dhe letërsia, kam nisur të shkruaj që në moshë mjaft të vogël”, u shpreh mjeku Flamur Topi.

“Është jeta ime”, kështu e quan violinën mjeshtri 85-vjeçar Et’hem Qerimaj. Violinën e ka prekur për herë të parë në dorë në moshën 7-vjeçare, por ende dhe sot, pas 78 vitesh, ai thotë se ushtrohet 8 orë në ditë.

“Për këtë studioj katër orë në mëngjes dhe katër orë natën. Asnjëherë nuk qëndroj pa studiuar, pa qenë në formë për t’i rënë violinës. Pjesa e preferuar është që kam 50 vite që studio dhe kam punuar në opera dhe në asamblin e ushtrisë. 7-vjeç e kam marrë në dorë violinën. E lash atë që studioja për shkollë dhe thash do të rri duke studiuar violinën. Jo nuk rrihet pa violinën. Po e le të lë. Për mua violinë është jeta dhe me këtë e kalova”, tha mjeshtër Qerimaj.

Ustai këpucar, Taip Spahiu, shprehet se ka 50 vite që punon me çekiç në dorë. Megjithatë, tregon se e dashuron këtë profesion dhe nuk ka ndërmend të ndalet.

“Profesioni im është shumë i gjatë, kam 50 vite që punoj me çekiç në dorë. Gjithmonë në riparime. Punishten time e kam në Ndroq dhe punoj për vite e vite të tëra. Tani po riparoj një palë këpucë grash dhe jam duke i vendosur takë. E punoj me shumë dashuri këtë profesion. Ky profesion quhet i lirë, ndërsa në kohën që unë e kemi filluar quhej artizanale”, u shpreh usta Spahiu.

Trajneri i atletikës Vildan Tufi, tashmë 75-vjeç, ende vijon të stërvis kampionë. Çelësi i suksesit sipas tij, është kënaqësia dhe emocioni që të dhuron sporti në përgjithësi. Por edhe familja, për të cilën profesori thotë se është mbështetja e tij më e madhe.

“Mosha bën të vetën, për të thënë të drejtën dëgjova parafolësit e mi, unë kam 52 vite vetëm në fushën e sportit. Ndërsa si sportist kam pasur dhe ja 12 vite të tjera. Patjetër që sporti ka të veten e tij, ka ecjen, vrapimin. Ushtrimi i sportit nga ana ime ka bërë që unë të jem ky që jam sot dhe vijoj të punoj njësoj si ditën e parë. Sporti për cilësinë sportive, sjell shumë emocione të mëdha. Me të drejtë unë si trajner kombëtar, ndihem krenar sepse rezultatet kanë qenë shumë të mira.
Mund të jenë deri 120 kampionë që unë kam trajnuar. Çelësi i kësaj është një kënaqësi e madhe, kur njerëzit që t’i stërvit shpallen kampionë kudo nëpër botë. Familja ka vendin e vet, kështu që bashkëshorten e kam pasur gjithmonë me vete, më ka ndihmuar dhe e kam pasur miratimin e saj në profesionin që ushtroj”, u shpreh 75 vjeçari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA