Presidenti amerikan tha se po merr ilaçin kundër malarjes, hidroksiklorokinën si masë parandaluese për Covid-19, edhe pse shkencëtarët kanë paralajmëruar për efekte anësore.
Studimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse hidroksiklorokina dhe një ilac tjetër i ngjashëm, klorokina, janë efektive ndaj koronavirusit. OBSh ka thënë se është e shqetësuar nga raportet për individë që vetë mjekohen dhe i shkaktojnë vetes dëme serioze. Këto shqetësime për sigurinë janë mbështetur edhe nga një ish-zyrtar amerikan i shëndetësisë. Dr. Rick Bright, që u shkarkua nga detyra në prill, pasi udhëhoqi përpjekjet për prodhimin e vaksinës, thotë se fokusi i presidentit Trump tek këto ilace ka qenë jashtëzakonisht ndikues tek dhjetëra shkencëtarë federalë.
Edhe administrata amerikane e ushqimit dhe ilaceve, që ka dhënë miratimin për ti përdorur ato në disa situata të vecanta, ka paralajmëruar për efekte të mundshme anësore. Por Trump ka folur edhe më herët për këto ilace. Madje në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai tha: Çfarë keni për të humbur? Përdorini! Edhe presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, pretendon se hidroksiklorokina po funksionon në të gjitha vendet. Publiciteti që i është dhënë këtyre ilaceve ka cuar ndërkohë në një rritje globale të kërkesës për to. Pas komenteve të Trump në fund të marsit, pati një rritje të ndjeshme të kërkesës.
Tabletat me klorokinë janë përdorur prej kohësh në trajtimin e malarjes për të ulur temperaturën dhe inflamacionin dhe shpresohet se ato mund të funksionojnë edhe ndaj virusit që shkakton Covid-19. Në vende të ndryshme vazhdojnë testimet por deri më tani, provat janë të pamjaftueshme. Ekziston ndërkohë rreziku i efekteve anësore, përfshirë dëmtimin e veshkave dhe mëlcisë.
Top Channel